Michael Olise ka hyrë në historinë e Kupës së Botës, duke thyer rekordin legjendar të Peles për numrin më të madh të asistimeve në një edicion të vetëm të turneut.
Anësori i Francës regjistroi asistimin e tij të shtatë në Kupën e Botës 2026, pasi shërbeu Kylian Mbappen për gol në ndeshjen për vendin e tretë ndaj Anglisë, të zhvilluar të shtunën.
Olise fillimisht barazoi rekordin e Peles me gjashtë asistime gjatë të njëjtës ndeshje, përpara se të krijonte edhe një tjetër gol për Mbappen, duke e lënë pas përgjithmonë ikonën braziliane.
Ylli i Bayern Munich ka qenë një nga futbollistët më vendimtarë të këtij Botërori, duke spikatur me vizionin, kreativitetin dhe aftësinë për të krijuar raste të vazhdueshme për sulmin francez.
Edhe pse Franca nuk arriti të sigurojë një vend në finale pas humbjes ndaj Spanjës në gjysmëfinale, 24-vjeçari zhvilloi një turne të jashtëzakonshëm, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të ekipit të Didier Deschamps.
Olise iu bashkua Bayern Munichut nga Crystal Palace në vitin 2024 dhe që atëherë ka vazhduar të konfirmohet si një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij, si në nivel klubi ashtu edhe me kombëtaren.
Me asistimin e tij të shtatë në këtë Botëror, Michael Olise vendos një rekord të ri absolut, duke u bërë futbollisti me më së shumti asistime në një edicion të vetëm të Kupës së Botës për meshkuj. /Telegrafi/
