KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Menaxheri Fischer e konfirmon për Telegrafin: Albian Hajdari humb ndeshjet e Kosovës, mungon për disa muaj

Menaxheri Fischer e konfirmon për Telegrafin: Albian Hajdari humb ndeshjet e Kosovës, mungon për disa muaj

Ylli i Hoffenheimit Albian Hajdari do të mungojë për disa muaj dhe pritet të rikthehet në fundin e muajit janar, këtë e ka konfirmuar menaxheri Sascha Fischer për Telegrafin.

Qendërmbrojtësi pësoi lëndim kur përfaqësoi Kosovën në muajin shtator, kësisoj u detyrua të rikthehet te Hoffenheimi për të vazhduar me rikuperimin. Sidoqoftë, kur erdhi momenti për t’u kthyer në fushë, lojtari dardan pësoi tjetër lëndim.

Hajdari në stërvitje me klubin gjerman pësoi një çarje të pjesshme te shputa, andaj iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.

Fischer për Telegrafin ka njoftuar se Hajdari ka një çarje të pjesshme në shputën e këmbës dhe i nevojitet pushim.

“Gjuri i tij është i fashuar, sepse po përpiqemi ta mbrojmë dhe t’i japim sa më shumë pushim. Aktualisht është duke ndjekur procesin e rehabilitimit. Mund ta kujtosh se ai kishte ndier shqetësime edhe gjatë qëndrimit me Kombëtaren”.

“Sa i përket këmbës, ai ka një çarje të pjesshme të fascies plantare, prandaj duhet ta pushojë dhe të marrë trajtimin e nevojshëm”.

I pyetur se kur është paraparë të rikthehet, Fischer shtoi: “Po shpresojmë që në fundin e janarit”.

Çfarë është çarja e pjesshme e “Facies Plantare”?


Zakonisht kur një futbollist pëson këtë çarje, ka dhimbje të madhe në shputën e këmbës sidomos në thembër ose në mesin e saj. Ai ka vështirësi gjatë vrapimit, kërcimit dhe ndryshimit të drejtimit.

Rikuperimi ka të bëjë gjithnjë me madhësinë dhe vendndodhjen e çarjes. Një lëndim i tillë kërkon disa javë ose muaj, gjë që fatkeqësisht i ka ndodhur yllit të Kosovës.

Hoffenheimi ia dedikoi Hajdarit fitoren e fundit ndaj Monchengladbach

Përpos te Kosova, Hajdari është një nga lojtarët më kyç edhe te skuadra gjermane Hoffenheim.

Që kur u transferua, mbrojtësi ka qenë i padiskutueshëm në formacionin bazë, si dhe shpesh është përdorur edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Së fundmi, Hoffenheimi pas fitores ndaj Borussia Monchengladbach ia dedikoi yllit të Kosovës.

“Albi, shërim të shpejtë”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre – ku shihen lojtarët e Hoffenheimit me fanellën e Hajdarit.

Mungesa e madhe e Kosovës për nëntor

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin nëntor dhe padyshim mungesa më e madhe do të jetë e Hajdarit.

Sidoqoftë, lajmi i mirë është rikthimi i dyshes Lumbardh Dellova dhe Kreshnik Hajrizi nga lëndimet, lojtarë që kishin pësuar dëmtime me Amedsporin, respektivisht Sion, por tani i kanë lënë mbrapa.

Përndryshe, nuk do të ishte befasi ndonjë risi në mbrojtje, si kapiteni i Zurichut Lindrit Kamberi, apo ylli i Sturm Graz, Albert Vllaci, që dikur kanë qenë lojtarë të përzgjedhësit Franco Foda.

Rikujtojmë, Kosova më 14 nëntor përballet me Izraelin, kurse pas tre ditëve udhëton për në Dublin që të takohet me Irlandën./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.