KORREKT / SOT28 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Mbrojtja e UÇK-së nuk është çështje partie”, Musliu për ligjin e Speciales: PDK-ja kërkoi rishqyrtimin, s’do heqim dorë

“Mbrojtja e UÇK-së nuk është çështje partie”, Musliu për ligjin e Speciales: PDK-ja kërkoi rishqyrtimin, s’do heqim dorë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se partia e saj nuk do të heqë dorë nga angazhimi për hyrjen në fuqi të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pavarësisht kthimit të tij në Kuvend për rishqyrtim.

Në një prononcim për lajmi.net, Musliu ka theksuar se mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe e ish-krerëve të saj nuk është çështje partie, por përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore. Sipas saj, kërkesa për rishqyrtimin e ligjit synon forcimin e sigurisë juridike dhe garantimin e të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve që po gjykohen në Hagë.

“Mbrojtja e UÇK-së nuk është çështje partie, por përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore. PDK-ja e ka ndërmarrë zyrtarisht hapin për kthimin e ligjit në Kuvend për rishqyrtim, me qëllim të forcimit të sigurisë juridike dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë.

Përmirësimi i ligjit nuk është tërheqje, por përgjegjësi. Angazhimi ynë do të vazhdojë deri në hyrjen e tij në fuqi, si dhe në mbështetjen profesionale e financiare të mbrojtjes së çlirimtarëve në Hagë. Nuk do t’i lëmë vetëm”, ka deklaruar Musliu për lajmi.net.

Prononcimi i deputetes vjen pas kthimit të ligjit në Kuvend nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, për rishqyrtim të disa dispozitave. Kjo çështje rikthen në vëmendje nismën e PDK-së, e cila u miratua nga Kuvendi më 6 tetor 2026, në një seancë të zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, ndërsa jashtë objektit të Kuvendit po mbahej protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ligji u miratua me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në votim morën pjesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë joserbe, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim.

Megjithatë, pas miratimit të tij, PDK-ja kërkoi zyrtarisht që ligji të kthehej në Kuvend për rishqyrtim, me arsyetimin se disa dispozita duhet të plotësohen dhe të përmirësohen për të forcuar sigurinë juridike. Partia vlerësoi se ligji ishte finalizuar në pjesën dërrmuese dhe se rishqyrtimi duhej të shërbente për një verifikim të mëtejshëm profesional, si dhe për adresimin e elementeve që mund të pengonin zbatimin e tij.

PDK-ja kishte theksuar se kërkesa ishte për kthimin e ligjit në Kuvend, e jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Po ashtu, partia kishte ftuar ekspertët që kishin shprehur gatishmëri për të kontribuar, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqisnin propozime konkrete për përmirësimin e dispozitave, shkruan lajmi.net.

Në arsyetimin për kthimin e ligjit, Presidenca bëri të ditur se presidentja Justina Shiroka Pula e kishte pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së për rishqyrtim, veçanërisht të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në këto dhoma.

Presidentja, sipas arsyetimit të Presidencës, ka theksuar sakrificën dhe kontributin e UÇK-së dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo ka ritheksuar gjithashtu qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës, vënien në dyshim të karakterit çlirimtar të luftës apo barazimin e popullit që luftoi për liri me regjimin që e shtypte atë.

Kthimi i ligjit në Kuvend nuk nënkupton se procedura legjislative nis nga fillimi. Sipas nenit 80, paragrafi 3, të Kushtetutës, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend vetëm një herë, duke paraqitur arsyet e vendimit. Ndërkaq, neni 84 i Rregullores së Kuvendit përcakton hapat që duhet të ndiqen pas kthimit të tij.

Fillimisht, kryetarja e Kuvendit duhet t’ia përcjellë ligjin komisionit përgjegjës, i cili duhet t’i shqyrtojë arsyet e kthimit dhe të përgatisë raportin për seancë plenare brenda katër javësh nga dita e pranimit të ligjit.

Pas kësaj, deputetët duhet të vendosin në seancë plenare nëse do ta miratojnë sërish ligjin. Për këtë nevojiten së paku 61 vota, që përbëjnë shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse sigurohet kjo shumicë, ligji konsiderohet i shpallur dhe presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë. Nëse nuk sigurohen 61 votat, konsiderohet se ligji nuk është miratuar dhe ai nuk hyn në fuqi, ndërsa vazhdon të zbatohet ligji aktual për Dhomat e Specializuara.

Kurse ditë më parë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara do të trajtohet në Kuvend, por nuk mund të ndryshohet apo amandamentohet bazuar në një vendim të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji parasheh gjithashtu ndryshime që lidhen me monitorimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe kontrollin kushtetues të ligjit. Sipas propozimit të PDK-së, juridiksioni i tyre do të kufizohej në vepra penale të lidhura drejtpërdrejt me pretendimet për marrje organesh, ndërsa rastet jashtë këtij juridiksioni do të mund të transferoheshin te gjykatat e rregullta të Kosovës.

Megjithatë, para votimit të projektligjit, Ministria e Drejtësisë kishte vlerësuar se ndryshimet e propozuara kërkonin analizë të mëtejshme juridike, për shkak të natyrës së tyre kushtetuese dhe ndërkombëtare. Në opinionin e saj, Ministria kishte rekomanduar që përputhshmëria e ndryshimeve me Kushtetutën, veçanërisht me Amendamentin nr. 24, dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës të shqyrtohej në mënyrë të specializuar gjatë procedurës parlamentare.

Derisa ky Ligj u votu anë Kuvendin e Kosovës, përreth institucioneve të vendit u protestua për disa ditë radhazi.

Këto protesta u ashpërsuan dhe në dy ditët e fundit shkaktuan pati edhe hedhje të gjësendeve të forta, fishekzjarrë, gaz lotsjellës e shumçka tjetër.

Policia më pas në disa raste tentoi t’i shpërndajë protestuesit teksa të lënduar pati nga të dyja palët.

E mbi mundësinë që këto protesta të zhvillohen sërish pas parasysh faktin se ligji tani për tani nuk ka asnjë vlerë juridike e institucionale dhe mbetet u deklarua edhe Çlirim Haziri.

Ai në një deklarim për lajmi.net tha se para PDK-së s’ka çka të protestohet, por se nëse ligji nuk përmirësohet dhe nuk miratohet atëherë do të duhet protestuar./Lajmi.net/

 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.