Shkolla shqipe e Shoqatës “Rozafa” në Gent të Belgjikës po luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe te fëmijët e diasporës, duke u ofruar atyre mundësinë të mësojnë gjuhën amtare dhe të njihen me traditat e kulturën shqiptare.
Ditë më parë, nxënësit, mësuesit dhe prindërit e shkollës pritën Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, Gazmend Barbullushi, i cili gjatë vizitës u dhuroi nxënësve libra të gjuhës shqipe nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe historiani Ragip Zekolli.
Gjatë takimit, ambasadori bashkëbisedoi me stafin mësimdhënës dhe prindërit për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen dhe mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Shkolla shqipe “Rozafa”, nën drejtimin e Lumturije dhe stafit të saj të përkushtuar, synon t’u krijojë fëmijëve një mjedis ku ata mund të zhvillojnë njohuritë gjuhësore, të krijojnë lidhje me prejardhjen e tyre dhe të ruajnë identitetin kombëtar, ndërsa rriten në një shoqëri shumëgjuhëshe.
Dhurimi i librave përbën një mbështetje të rëndësishme për procesin mësimor, duke i ndihmuar nxënësit të pasurojnë fjalorin, të zhvillojnë aftësitë e leximit dhe të shkrimit, si dhe të përdorin më me siguri gjuhën shqipe.
Për fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut, mësimi i gjuhës amtare ka rëndësi të veçantë, pasi shqipja mbetet një urë lidhëse me familjen, traditat dhe kujtesën ndërbreznore.
Përmes nismave të tilla, shkolla shqipe “Rozafa” në Gent vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke u përcjellë brezave të rinj një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre kombëtar./Telegrafi/

