Mbi 80 institucione shtetërore nuk i dorëzojnë tek Avokati i Popullit të dhënat për përkatësinë etnike të të punësuarve për vitin 2025. Zyra e Avokatit të Popullit për “Alsat” thotë se u është dhënë afat deri në fund të muajit, pas çka do të fillojnë me përgatitjen e raportit.
“Procesi i mbledhjes së të dhënave ende nuk ka mbaruar. Për momentin ka edhe mbi 80 institucione të cilat nuk kanë dorëzuar të dhëna nga numri i përgjithshëm rreth 1.300. Po kryhen verifikime të disa të dhënave që janë dorëzuar dhe deri në fund të muajit është afati i fundit për dorëzimin e të dhënave të kërkuara. Pastaj do të përgatitet raporti”, thonë për Alsat nga Avokati i Popullit.
Vijon procesi i mbledhjes së të dhënave për përfaqësim të drejtë dhe adekuatMbi 80 institucione nuk kanë dorëzuar të dhënave për përfaqësimin etnikTë dhënat e raportit të Avokatit të Popullit për përfaqësimin etnik gjatë vitit 2025 janë me rëndësi të veçantë, pasi iu referohen periudhës kur pas shfuqizimit të balancuesit, nuk ka asnjë mekanizëm ligjor në fuqi, që obligon apo detyron institucionet të punësojnë sipas etnisë.
Raporti i cili duhet të jetë gati deri në fund të vitit, duhet të japë pasqyrë më të qartë nëse mungesa e këtij mekanizmi ka disbalancuar strukturën e përkatësisë etnike nëpër institucione, duke e pasur parasysh se tanimë dy vite kriteri etnik nuk merret fare parasysh nëpër konkurset publike për punësim në administratë.
Ndërkohë ligji që do të duhej të rregullonte çështjen edhe pse nuk parashikon kuota të sakta për punësimin e etniteteve, ashtu siç parashikonte balancuesi, mbetet i bllokuar në Kuvend, pasi shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshme të Badenterit.
Ndërkohë që çështja është temë debati tanimë për disa vite, javën e kaluar deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, zbuloi një rast eklatant të keqpërdorimit të përkatësisë etnike. Sipas tij, drejtori aktual i Agjencisë për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, Petar Gajdov kur ka hyrë fillimisht në këtë institucion është punësuar si shqiptar, ndërsa më pas ka ndërruar kombësinë.
“Ju jeni shqiptar deri në moment kur duhet të konkurroni për drejtor të institucionit. Përpara se të konkurroni drejtor të institucionit jepni deklaratë në noter, ja deklarata.. në të cilin thoni se unë Petar Gajdov me numër amëz nga Shkupi, i punësuar në Agjencinë për Mbrojtjen e Qasjes së Lirë në Informata me Karakter Publik, në vendin punës ndihmës-udhëheqës në Sektorin për Çështje Administrative dhe të Përgjithshme, me përgjegjësi të plotë morale, materiale dhe penale deklaroj se për momentin kur e jap këtë deklaratë, e ndjej veten si maqedonas me vetëdije kombëtare maqedonase dhe i përkas popullit maqedonas”, deklaroi Oliver Spasovski, Deputet i LSDM-së më 17.09.2026./Alsat/