Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ndarë 77 milionë euro për bujqit në Kosovë në kuadër të ndarjeve buxhetore për sektorin e bujqësisë për vitin 2026.
Ministri i këtij dikasteri, Armend Muja tha se me këtë buxhet prej 77 milionë eurosh përfshihen edhe subjektet që merren me përpunim bujqësor, fermat, fermerët dhe masat për stabilizimin e tregut.
Muja në një konferencë për media bëri të ditur edhe arkitekturën e re të mbështetjes për bujqësi, e cila sipas tij, përfshin tri shtylla themelore.
“Arkitektura e re e mbështetjes për bujqësi përfshin tri shtylla themelore: Programi për pagesat direkte në vlerë prej 59 milionë euro. Programi për zhvillimin rural në vlerë prej 10 milionë euro. Programi i masave të stabilizimit të tregut në vlerë prej 8 milionë euro”, tha Muja.
Ministri Muja dha detaje edhe për shtyllat e pagesave direkte.
Fillimisht, tek shtylla e pagesave direkte, rreth 20 milionë euro do t’i dedikohen sipërfaqeve të punuara. Pra, 34 milionë euro do t’i dedikohen lidhjes me prodhim — pra janë skemat të lidhura me prodhim. Jo vetëm sipërfaqet e punuara, por e rëndësishme dhe e veçantë kësaj here është që skemat do të lidhen drejtpërdrejt me prodhimin për të promovuar performancë. Po ashtu është mbështetja e rishpërndarjes. Për herë të parë, fermat e vogla dhe të mesme do të marrin një mbështetje më të madhe, sikurse edhe skema e re për bujqit që futen për herë të parë në skemat që ne i administrojmë”, shtoi ai.
Më tej Muja theksoi se kanë themeluar edhe një skemë të re të quajtur “eko-skema”, e cila mbështet bujqësinë organike dhe të gjitha praktikat që i ndihmojnë bujqit për të avancuar mbrojtjen e mjedisit.
Muja bëri të ditur po ashtu se në kuadër të programit për zhvillim rural kësaj here janë alokuar 10 milionë euro, derisa përqëndrimi kryesor është tek hortikultura dhe hortikultura intensive. Kështu sipas tij, pa mbështetje nuk do të jetë as sektori i pemëtarisë ku do të inkurajohet mbjellja dhe kultivimi i pemëve.
Në këtë mes do të mbështetet edhe prodhimi i qumështit, i mishit në ferma, i drithërave dhe sektori i vreshtarisë.
Ministri potencoi se bujqit kanë nevojë për mbështetje për përpunimin e prodhimeve bazë dhe të përgatiten për eksport.
“Bujqit tanë kanë nevojë që të mbështeten që t’i përpunojnë prodhimet bazë dhe në të ardhmen po ashtu të përgatiten për eksport. Për këtë arsye kemi thirrë masa të reja për të mbështetur këtë rritje me standardet më të larta, që është e rëndësishme, të mbështesim përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe po ashtu edhe produktet e tjera shtazore“, përfundoi Muja.
Ministri i Bujqësisë u shpreh se asnjëherë më parë nuk është ndarë më shumë buxhet në mbështetje të bujqve se sa kësaj radhe. /Telegrafi/