Sulmuesi shqiptar Rey Manaj më nuk do të luajë për Sivassporin, shkaku që ka vendosur të largohet si shenjë revolte për pagat e papaguara.
Lojtari ka informuar ndjekësit në rrjetet sociale se ka ndërprerë kontratën me klubin turk, duke shpjeguar edhe arsyet. Ai tregoi se Sivasspori s’e ka mbajtur asnjëherë premtimin.
Manaj ndër të tjera falënderoi tifozët si dhe kritikoi klubin për veprimin e tyre.
“Erdha te Sivasspor me një qëllim të vetëm: ta ndihmoja klubin të rikthehej aty ku e ka vendin, në Superligën turke, dhe të bëhesha pjesë e këtij projekti ambicioz. Fatkeqësisht, skuadra dhe kushtet e nevojshme për arritjen e këtij objektivi nuk u krijuan kurrë.
Pas një periudhe të gjatë durimi, më është dashur të marr një nga vendimet më të vështira të karrierës sime: ndërprerjen e kontratës me Sivassporin.
Gjatë muajve të fundit, i kam dhënë klubit shumë mundësi. Në disa raste, i kam njoftuar zyrtarisht se kishte 15 ditë kohë për t’i përmbushur detyrimet e tij, dhe çdo herë kam shpresuar se situata më në fund do të zgjidhej.
Fatkeqësisht, pagesat nuk u kryen dhe premtimet që më ishin dhënë nuk u mbajtën. Gjithmonë zgjodha t’i jepja klubit edhe një mundësi tjetër, por durimi im nuk u respektua.
Kjo është shumë e dhimbshme për mua. Sivasspori ka qenë shtëpia ime dhe në fushë kam dhënë gjithçka për këtë fanellë.
Për tifozët e Sivassporit: më keni mbështetur që nga dita e parë deri në të fundit. Dashuria dhe respekti juaj kanë më shumë vlerë për mua sesa mund të shprehen me fjalë. Edhe pse sot rrugët tona ndahen, Sivasspori do të mbetet gjithmonë në zemrën time dhe unë do të jem gjithmonë një përkrahës i kësaj fanele.
Faleminderit për gjithçka!
ReyManaj”, shkroi ai./Telegrafi/

