Markus Delfs do të jetë drejtori i ri i GIZ për Kosovën, ndërsa njëkohësisht do të shërbejë edhe si Drejtor Rajonal për Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Qipron, duke filluar nga 1 korriku 2026.
Lajmi është bërë i ditur nga GIZ, i cili njoftoi se Delfs sjell një përvojë të gjatë në bashkëpunimin ndërkombëtar të Gjermanisë, pasi gjatë karrierës së tij ka mbajtur pozita të ndryshme në GIZ në Gjermani, Kinë, Indonezi, Belgjikë dhe Arabi Saudite.
Sipas GIZ-it, në detyrën e tij të re, Delfs do të fokusohet në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e partneriteteve rajonale.
Me rastin e marrjes së detyrës, ai tha se ky emërim përfaqëson më shumë sesa një hap të ri në karrierën e tij.
“Të përfaqësosh GIZ në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është thjesht një rol i ri profesional për mua, por një thirrje për detyrë. Mikëpritja jashtëzakonisht e ngrohtë nga bashkëpunëtorët, miqtë dhe ekipet në të dyja vendet më ka lënë shumë përshtypje dhe e përforcon edhe më shumë përkushtimin tim ndaj kësaj përgjegjësie”, u shpreh Delfs.
Ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta që Gjermania ka ndërtuar ndër vite me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ato mbështeten në diasporën, afërsinë kulturore dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Gjermania mban lidhje të forta me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes diasporës, afërsisë kulturore dhe marrëdhënieve të gjera afariste mes vendeve. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar më tej lidhjet mes vendeve tona, të bazuara në një Evropë të bashkuar”, deklaroi ai.
Delfs shtoi se pret të punojë ngushtë me institucionet dhe partnerët në rajon për të thelluar bashkëpunimin dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi.
“Me kënaqësi pres të punojmë së bashku për t’i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit tonë, për të forcuar besimin dhe për të krijuar mundësi që sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonomitë tona. Të dashur bashkëpunëtorë, me padurim pres të filloj punën dhe bashkëpunimin me ju”, përfundoi ai.
Ndryshe në përfundim të mandatit të tij tetëvjeçar në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, drejtori i deritashme David Oberhuber, ka folur për transformimin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit, energjisë së ripërtëritshme dhe integrimit evropian.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Oberhuber vlerësoi se Kosova është një shoqëri funksionale me institucione efektive dhe njerëz të aftë, megjithatë sipas tij, dy sfida strukturore vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e saj./Telegrafi/.
