Mariah Carey ka shkaktuar të qeshura në rrjetet sociale pasi pozoi para pikturës së famshme “Darka e Fundit” të Leonardo da Vinçit, gjatë një vizite në kishën Santa Maria delle Grazie në Milano të Italisë.
Këngëtarja 57-vjeçare publikoi të premten një fotografi në Instagram, ku shfaqet duke parë drejtpërdrejt kamerën me një shprehje serioze, ndërsa kryevepra e Da Vinçit duket në sfond. Ajo e shoqëroi postimin vetëm me emrin e pikturës dhe disa emoji.
Fotografia u bë menjëherë objekt shakash mes ndjekësve të saj, të cilët e cilësuan si memen e madhe të radhës, shkruan DailyMail.
Disa komentuan se fotografia përbënte dy kryevepra në një imazh, ndërsa të tjerë e përshkruan si një nga gjërat më qesharake që kishin parë prej kohësh.
Kjo nuk është hera e parë që Mariah tërheq vëmendjen me situata të zakonshme. Në fillim të vitit, ajo u bë virale me një video nga një dyqan ushqimor, ku shfaqej duke bërë pazar dhe duke pyetur nëse duhej të paguante për produktet që kishte marrë.
Këngëtarja është komentuar gjithashtu për preferencat e saj lidhur me ndriçimin. Gjatë një paraqitjeje në podcastin “Las Culturistas”, ajo kritikoi ndriçimin nga lart, duke thënë se nuk e duronte dot dhe duke bërë shaka se kjo ishte një çështje personale për të. /Telegrafi/