KORREKT / SOT6 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Maran: Statistikat tregojnë se jemi superiorë në Ligën C, ta mbyllim në krye grupin!

Maran: Statistikat tregojnë se jemi superiorë në Ligën C, ta mbyllim në krye grupin!

Kombëtarja shqiptare do të luajë në nëntor dy ndeshjet e fundit të UEFA Nations League, përballë Finlandës më 12 nëntor në “Air Albania” dhe tre ditë më vonë ndaj Bjellorusisë në Budapest. Trajneri i kuqezinjve, Rolando Maran, ka publikuar sot edhe listën me 27 lojtarët e grumbulluar.

Pak përpara konferencës zyrtare për media, paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, trajneri italian shpalli listën dhe më pas doli në konferencë, ku iu përgjigj interesit të gazetarëve. Tekniku italian tregoi situatën në kampin kuqezi, ndërsa u ndal edhe te ecuria që ka pasur skuadra në këtë aventurë deri më tani në Ligën e Kombeve.

Më poshtë, konferenca e plotë e trajnerit Rolando Maran për mediat:

LISTA PËR NDESHJET ME FINLANDËN DHE BJELLORUSINË – “Për sa i përket listës së lojtarëve të grumbulluar, natyrisht që kur përpiloj një listë, mendoj dhe jam i bindur se ajo është lista e duhur. Kjo nuk do të thotë se lojtarët që nuk janë përfshirë në të nuk kanë të njëjtat aftësi apo nuk do të ishin të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre për këtë fanellë.

Kam marrë shumë në konsideratë edhe gjendjen e tyre fizike dhe formën sportive, duke parë lojtarët që po aktivizohen, me përjashtim të Elsit, për arsye që tashmë i dimë. Për pjesën tjetër, jam përpjekur të vlerësoj edhe minutazhin që kanë pasur lojtarët, sepse mendoj se për këto dy ndeshje kemi nevojë për energji, për lojtarë që janë në formë të mirë fizike dhe që gëzojnë një gjendje optimale.

Sa i përket përmirësimit të statistikave tona, kam mbajtur edhe disa shënime. Në Nations League, në Ligën C, ne renditemi të parët në çdo tregues për sa i përket golave të pritshëm (Expected Goals) në favorin tonë. Jemi të parët në të gjithë Ligën C. Gjithashtu, jemi skuadra që ka pësuar më pak goditje në portë nga kundërshtarët dhe renditemi të parët edhe për goditjet në portë.

Si mund t’i përmirësojmë këto statistika? Duhet të jemi pak më konkretë. Duhet të arrijmë të shfrytëzojmë dhe të finalizojmë sa më mirë gjithçka që krijojmë. Megjithatë, unë dua gjithmonë të stërvit një skuadër që prodhon tregues të tillë statistikorë dhe do të përpiqemi t’i konsolidojmë e t’i përmirësojmë edhe më shumë, nëse është e mundur”.

MUNGESAT E BALLIUT DHE STRAKOSHËS – “Për sa i përket Balliut, ishte një vendim i tij që të tërhiqej nga Kombëtarja, pasi vazhdon të ketë një shqetësim fizik që e mundon vazhdimisht dhe që e bën të vështirë edhe aktivizimin me klubin e tij. Për këtë arsye, ai vendosi të ndërpresë këtë eksperiencë me Kombëtaren.

Sa i përket Strakoshës, kemi komunikuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe ai ende nuk është në 100% të gjendjes së tij fizike. Ka ende nevojë për pak kohë dhe punë për t’u rikuperuar plotësisht. Prandaj, vendosëm t’i japim kohën e nevojshme për rikuperim, pasi përshpejtimi i procesit në këtë moment mund të ishte i rrezikshëm”.

OBJEKTIVI PARA DY NDESHJEVE –“Presioni për vendin e parë është pozitiv, ai që të motivon. Duam të bëjmë mirë dhe ta mbyllim këtë grup në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfunduar në krye të renditjes. Kemi të gjitha mundësitë për ta arritur këtë objektiv. Jemi të motivuar dhe kam folur me shumë prej lojtarëve, të cilët kanë dëshirë të madhe për ta arritur këtë synim me shumë pasion.

Është pikërisht ai presion pozitiv që të nevojitet për të dhënë më të mirën. Sa më përket mua, duke qenë se kam mundësi t’i shoh lojtarët e mi kaq rrallë, unë ushqehem nga ky presion. Përkundrazi, e mirëpres, sepse është një ndjesi që i përket sportistit, dikujt që mbi të gjitha ka pasion për këtë sport. Është pikërisht ajo që më motivon dhe më bën të ndihem mirë.

Sa i përket Tucit, e kemi ndjekur dhe vazhdojmë ta ndjekim. Gjatë këtij grumbullimi, por edhe në përgjithësi, jam përpjekur të konfirmoj lojtarët që më kanë dhënë garanci dhe që më kanë pëlqyer në grumbullimin e mëparshëm. Duke qenë se kemi dy ndeshje shumë pranë njëra-tjetrës, mendova se ruajtja e këtij grupi lojtarësh ishte zgjidhja ideale për momentin.

Megjithatë, Tucin, ashtu si edhe lojtarë të tjerë, vazhdojmë ta ndjekim. E përsëris, kushdo që është në formë të mirë dhe që do të vazhdojë të përmirësohet, është i mirëpritur të veshë këtë fanellë. Kombëtarja ka nevojë për lojtarë të mirë dhe në formë, ndaj i ndjekim të gjithë pa përjashtim.

Ndërsa, për sa i përket presionit, ne kemi dëshirë të krijojmë sa më shumë afërsi me tifozët që e duan fanellën e Shqipërisë dhe besojnë te Kombëtarja. Për këtë arsye, kemi vendosur që ditën e hënë të hapim dyert për të gjithë tifozët që dëshirojnë të jenë pranë nesh dhe të ndjekin seancën e parë stërvitore, pasi pikërisht të hënën nis edhe ky grumbullim në kuadër të dy ndeshjeve të ardhshme.

Dëshirojmë të krijojmë një sinergji mes tifozëve, ekipit, lojtarëve dhe të gjithë atyre që e duan këtë fanellë. Kështu, ditën e hënë, dyert do të jenë të hapura për të gjithë tifozët që duan të ndjekin nga afër të gjithë seancën stërvitore të Kombëtares. Në fund të fundit, ata janë motori dhe energjia e kësaj skuadre”.

MUNGESA E ASANIT? – “Është e njëjta gjë siç thashë më parë për Tucin. Dua të theksoj se vëmendja jonë është edhe tek ai, ashtu si edhe tek lojtarët e tjerë. E përsëris, në këtë rast kam preferuar të ruaj vazhdimësinë, për shkak të garancive që më kanë dhënë lojtarët e përzgjedhur. Por kjo nuk do të thotë aspak se lojtarët e tjerë janë jashtë projektit. Absolutisht jo”.

LOJTARËT E SË ARDHMES – “Në këtë moment unë kam një fanellë dhe kushdo që pranon të përfaqësojë Shqipërinë, e bën këtë sepse është krenar që vesh këtë fanellë. Argumenti më i fortë që mund të sjell është pikërisht ky. Për mua, kjo është ajo që ka më shumë rëndësi, sepse besoj se ju më keni mësuar se çfarë do të thotë të mbash këtë fanellë. E kam mësuar duke qenë këtu me ju dhe duke e përjetuar nga afër. Besoj se lojtarët që zgjedhin të veshin këtë fanellë duhet të jenë krenarë për këtë.

Për mua, kjo është çështja e parë dhe nga e cila nuk mund të shmangemi. Për pjesën tjetër, them vetëm të vërtetën, ashtu siç janë gjërat. Nuk ka nevojë të tregojmë apo të sajojmë asgjë, por thjesht duhet të kemi dëshirën dhe krenarinë për ta veshur këtë fanellë”.

LILO, NJË OPSION PËR PORTËN –“Klidman Lilo është një tjetër lojtar që po e ndjekim. Edhe në këtë rast kam dashur të konfirmoj grupin e lojtarëve dhe portierëve që kisha në grumbullimin e kaluar, pasi, pavarësisht disa dëmtimeve, ata më kanë dhënë garanci. Megjithatë, mendoj se është një lojtar që po e ndjekim dhe për të cilin kemi vëmendje”.

CAPRILE DHE GËRXHALIU – “Në këtë moment nuk janë pjesë e planeve tona. Bëhet fjalë për futbollistë shqiptarë që aktivizohen në kampionate të rëndësishme dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do ta vlerësojmë edhe këtë mundësi për të qenë pjesë e skuadrës”.

ANALIZA E AVENTURËS ME SHQIPËRINË – “Ne punojmë për t’u përmirësuar vazhdimisht. Fakti që disa gjëra kanë shkuar mirë dhe të tjera më pak mirë, duhet të jetë një stimul për ne që të bëjmë hapa përpara.

Unë jam i pari që përpiqem të vë në diskutim çdo ditë idetë e mia. Sepse, në momentin që ndalem dhe e marr si të mirëqenë atë që ishte e sigurt dje, sot jam duke gabuar. Çdo ditë duhet të përpiqem të sjell diçka të re dhe të përmirësoj diçka, sepse në të kundërt nuk qëndrojmë në vend, por bëjmë hapa prapa.

Sigurisht që nga ana ime ekziston gjithmonë dëshira për të kërkuar diçka më shumë, diçka ndryshe, që mund të na ndihmojë të përmirësohemi. Jam dakord se ajo që kemi bërë deri tani ka qenë pozitive, këtë e tregojnë renditja dhe statistikat, edhe pse ndeshja e fundit na ka lënë disi një shije jo të mirë.

Por statistikat i përmenda pikërisht për këtë arsye. Kjo është një skuadër që ka bërë atë që duhej të bënte, por që mund dhe duhet të përmirësohet. Dhe ne duhet të punojmë për këtë”.

LOJTARËT NGA ABISSNET SUPERIORE –“Besoj se kjo është një marrëdhënie e ndërsjellë. Mendoj se duke grumbulluar këta lojtarë, mund të jap kontributin tim edhe për kampionatin, në kuptimin që ndihmoj në rritjen e nivelit të tij dhe të gjithë sistemit. Në të njëjtën kohë, besoj se në kampionat ka potenciale që, nëse ai vazhdon të rritet, mund të jenë të vlefshme për Kombëtaren.

Pra, bëhet fjalë për një shkëmbim të ndërsjellë. Grumbullimi i disa lojtarëve mund t’u japë stimuj dhe motivim edhe futbollistëve të tjerë që kanë potencial, por që aktualisht aktivizohen në një kampionat që ndoshta nuk është në nivelin më të lartë të konkurrueshmërisë”.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.