Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, doli në konferencë për media nga “Shtëpia e Futbollit”, pas publikimit të listës për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Tekniku kuqezi shpjegoi zgjedhjet e tij, komentoi risitë dhe rikthimet në Kombëtare, si edhe komunikimin që ka pasur me lojtarët që do të mungojnë për arsye dëmtimi.
Maran foli edhe për ditët e para të punës në FSHF, kundërshtarët e muajit qershor, modulin e lojës dhe futbollistët që po ndjek nga Kombëtarja U-21.
Më poshtë, konferenca e plotë për media e trajnerit Rolando Maran:
Sa e vështirë ka qenë përzgjedhja e lojtarëve dhe çfarë pritshmërish keni nga emri më i ri Luis Hasa? – Do kisha dashur të ishte pak më e gjatë kjo listë. Kam dëshirë të shoh gjithë lojtarët dhe cilët janë më funksionalë për t’iu përshtatur ndeshjeve. Duke qenë se janë dy ndeshje të rëndësishme për përgatitjen e ekipit dhe në vazhdim. Ka qenë e vështirë, por i jam referuar listës së madhe që ishte krijuar. Kam punuar për të kuptuar më mirë si është gjendja e lojtarëve. Një pjesë prej tyre, nëse janë mirë në kushte fizike dhe si po u shkon dëmtimi. Mund të përmend edhe emrat e lojtarëve të cilët janë të dëmtuar. Strakosha, me të cilin kam komunikuar në telefon dhe po vijon rikuperimin aty ku ndodhet. Kemi pasur komunikim dhe jemi takuar me Dajsinanin, Muçin, Manajn dhe Gripshin, që kanë qenë këtu. Na kanë vizituar dhe kanë bërë vlerësimet e duhura në klinikën tonë. Është e rëndësishme të punohet në këtë aspekt për të marrë maksimumin nga këta lojtarë. Do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme.
Edgar Çani ka deklaruar që me Maran sulmuesit shënojnë shumë dhe që Armando Broja do të bëjë hapin cilësor në këtë aventurë, çfarë mendoni ju? – Jam i lumtur për atë që ka thënë. Gjej rastin për të përshëndetur Edgar Çanin. Është e vërtetë, në fakt gjatë punës sime ka rastisur që lojtarët kanë shënuar rekord golash gjatë sezonit. Kur skuadra ndërton shumë, do të thotë që ndihmon sulmin të shënojë. Nëse shënon dhe rezultatet janë të favorshme, kjo është një shenjë e mirë për skuadrën. Kjo gjë mund të ndihmojë Armando Brojën, por edhe lojtarët dhe sulmuesit e tjerë. Në një Kombëtare, sa më shumë të punohet në grup, mund të merren rezultatet nëpërmjet golave. Jam i bindur që me punën në fushë do të ndihmojmë sulmuesit dhe të gjithë skuadrën që të arrijë te goli. Pas golit vijnë edhe rezultatet.
Mungesa e Ivan Balliut? – Fola me të 3-4 ditë më parë. Ishte shumë i sinqertë në konstatimin e tij dhe më tha që nuk e di ende nëse do të vazhdojë të luajë me Kombëtaren dhe kishte nevojë për pak kohë për të vendosur. Për mua kjo është gjëja e duhur. Sigurisht, është një lojtar që ka bërë shumë për Kombëtaren dhe ka luajtur shumë ndeshje. Besoj që është gjëja e duhur në këtë rast që ai të marrë kohë për t’u menduar.
Më e rëndësishme të konfiguroni skuadrën për EURO 2028 apo të merrni rezultate pozitive menjëherë? – Ne jemi gjithmonë të uritur dhe krenarë për të arritur rezultate të mira. Por siç e thashë edhe më herët, ka qenë pak kohë në dispozicion sepse i jam referuar edhe listës së pritjes që ishte dërguar. Do mundohem të kuptoj se çfarë është funksionale dhe e mirë tashmë në bazë të lojtarëve të cilët kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit të Kombëtares dhe sigurisht duke marrë edhe atë që mund t’i shërbejë edhe idelogjisë dhe futbollit që unë dua të luaj. Nuk ka presione, ka vetëm dëshirë për të fituar dhe dëshirë për të pasur rezultate të mira edhe për tifozët të cilët gjithmonë e mbështesin skuadrën dhe duan që skuadra të fitojë. Sigurisht jo duke eksperimentuar, pavarësisht se eksperimentet që janë të matura, mund të të cojnë te rezultatet. Por jo gjithmonë përmes eksperimenteve vjen rritja. Unë besoj që këto janë kushtet për të bërë mirë me skuadrën. Është një moment delikat duke qenë se është fundi i sezonit dhe lojtarët vijnë të lodhur dhe të ngarkuar nga ndeshjet që kanë bërë. Sidoqoftë, nga ajo që unë kam komunikuar dhe kam parë deri tani, ka një sens sakrifice të madh nga lojtarët dhe disponibilitet për të qenë gjithmonë pranë kombëtares. Dhe kjo është një nisje shumë e mirë. Sigurisht që është e rëndësishme të nisë çdo gjë dhe të kuptojmë në çfarë situate jemi. Për ta mbyllur pyetjen, pasi të mbarojnë këto dy ndeshje, do të kem hapësirë për t’i dhënë vëmendje Kombëtares U-21. Një pjesë të lojtarëve i njoh dhe do të kem fatin t’i shoh në ndeshjen ndaj Italisë. Ky është hapi i radhës për të parë lojtarët të cilët kemi në ekipet kombëtare.
Do të grumbulloni lojtarë të cilët janë në formë apo do të keni një listë tuajën dhe do të vendosni se cilët do të luajnë? – Uroj që polemika të qëndrojë me ish-trajnerin dhe jo me mua. Nuk do të ketë një rregull të tillë. Mendoj se do të bëja gabim nëse do të kisha rregulla të tilla. Secili rast është individual. Duhet parë çfarë i shërben më mirë kombëtares. Sigurisht që forma ka rëndësi dhe merr vlerë në raste të caktuara. Por sigurisht që ka një diferencë mes një lojtari që luan në liga më superiore dhe ka më pak minuta dhe mes një lojtari që luan në ligën e tretë. Ky i fundit ka më pak shanse. Por nëse ky lojtar ka më shumë minuta se një lojtar tjetër, kjo ndryshon. Unë duhet të jem objektiv në zgjedhjet që do të bëjmë. Nuk e ndihmon skuadrën fakti që shumë lojtarë nuk kanë shumë minuta. Por nuk mund të përcaktoj rregulla specifike në këtë moment.
Moduli që do të përdorni, 4-3-3 apo 4-3-1-2? -Qëllimi është të kemi një mbrojtje me 4 lojtarë dhe sigurisht duke përdorur 3 lojtarë më ofensive. Kjo duhet provuar dhe verifikohet në momentin që do të kem lojtarët këtu dhe nuk dua t’i paraprihem një zgjedhjeje që mund të bëjë bllof në një moment të caktuar sepse dua të jem i sinqertë. Duhet të shoh lojtarët dhe të vendos për modulin.
A ka ndonjë lojtar nga Kombëtarja U-21 që do të kishit dashur ta kishit pjesë të kësaj liste? – Nuk do të bëja gjënë e duhur po të përmendja emra, sepse për mua është e drejtë që të gjithë ta ndjejnë mundësinë e një afrimi me Kombëtaren. Disa prej tyre edhe i kam stërvitur, por është më e drejtë që të gjithë të kenë motivimin për të qenë pjesë e Kombëtares.
Mungesa e Jasir Asanit dhe a do të ketë minuta për lojtarët e rinj? – Asani nuk është grumbulluar, sepse prej kohësh nuk luan. Të jem i sinqertë, nuk kam folur drejtpërdrejt me të, por kanë folur bashkëpunëtorët e mi dhe më kanë thënë që ka ndaluar së luajturi. Uroj që të ketë minuta për të rinjtë. Përderisa jam këtu, është sepse dua t’u jap minuta të gjithëve. Dua të nis t’i stërvis për të kuptuar se çfarë mund të japin. Ndoshta jo të gjithë do ta kenë mundësinë të luajnë, por fakti që janë këtu do të thotë se qëllimi im është t’u jap minuta. Do të shohim sa minuta dhe kujt.
Cili është impresioni i parë pas ditëve të para të punës dhe në këto ndeshje do të shohim lojtarët e grumbulluar apo idetë tuaja? – Nuk ka moment më të mirë se ky për të qenë i lumtur. Po e përjetoj këtë eksperiencë me entuziazëm, me dëshirë për të qenë mes jush dhe të gjithë njerëzve që e duan Kombëtaren. Po e përjetoj shumë mirë, me dëshirën për të arritur objektivat së bashku, për të festuar herë pas here, për të pasur objektiva të vegjël dhe për të thënë që kemi bërë hapin e parë, e më pas të bëhemi më të mirë së bashku. Sigurisht që shpresoj t’i shoh të dyja. Kam dëshirë të transmetoj diçka. Mezi pres të filloj, sepse e di që ka material të mirë bazë dhe lojtarë me vlera që mund të shprehin idetë e mia. Më pas, lojtarët janë protagonistët, sepse me cilësitë e tyre zbatojnë idetë e trajnerit. Prandaj, mund të shohim edhe idetë e mia, por edhe lojtarët që do të krijojnë një identitet të përbashkët si skuadër, në mënyrë që të shprehen sa më mirë këto ide.
Cilët lojtarët mendoni që do të jenë në qendër të projektit të ri dhe a do të vlejnë këto dy miqësore për të kryer një rinovim gradual të grupit? – Mendoj se ka një bazë të lojtarëve që në fakt kanë bërë mirë dhe e kanë çuar skuadrën përpara edhe me trajnerin Silvinjo. Ky bllok është shumë i rëndësishëm. Mendoj se ndryshimet duhet të jenë graduale. Është pak kohë për ndryshime të mëdha dhe që mund të jenë të rrezikshme. Nuk dua të nominoj emra specifikë, por marrim si shembull kapitenin Berat Gjimshiti që ka shumë ndeshje me kombëtaren. Është një bllok që sigurisht mund të ketë ndryshime dhe ndryshimet të jenë në funksion të përmirësimit të skuadrës. /Telegrafi/
