E ardhmja e Manchester Cityt mund të marrë një kthesë të papritur, pasi pronarët e klubit rrezikojnë të detyrohen ta shesin atë nëse konstatohen shkelje në mënyrën e drejtimit të tij.
David Kogan, president i Independent Football Regulator (IFR), organit të pavarur rregullator të futbollit anglez, ka deklaruar se institucioni që ai drejton ka kompetenca të plota për të ndërhyrë edhe në çështjen e pronësisë së klubeve.
“Ne kemi të drejtë t’i kërkojmë një pronari të largohet nga një klub nëse besojmë se ai po e drejton atë në një mënyrë që nuk është e përshtatshme, e drejtë apo në përputhje me standardet e kërkuara”, deklaroi Kogan në podcastin The Rest Is Football.
I pyetur nëse pronari mund të refuzojë shitjen e klubit, ai u përgjigj prerazi: “Jo, jo, jo. Ne kemi fuqi të plota për ta bërë këtë”.
Megjithatë, Kogan theksoi se për momentin nuk ka nisur ndonjë hetim specifik ndaj Manchester Cityt dhe se çdo vendim do të merret vetëm pasi të shqyrtohen të gjitha rrethanat.
Akuzat për shkelje financiare
Manchester City, në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan që nga viti 2008, ndodhet në pritje të zhvillimeve të mëtejshme pas vendimit të një komisioni të pavarur, i cili e gjeti klubin fajtor për shkelje serioze të rregullave financiare të Premier League-s.
Sipas gjetjeve të komisionit, gjatë nëntë sezoneve, nga 2009/10 deri në 2017/18, klubi kishte përdorur marrëveshje tregtare fiktive për të rritur artificialisht të ardhurat dhe për të ulur kostot me më shumë se 900 milionë funte.
Gjithashtu, komisioni konstatoi se klubi kishte bërë përpjekje të koordinuara për të penguar hetimin e Premier League-s.
Manchester City i ka apeluar këto gjetje, duke kundërshtuar vendimin. Për këtë arsye, çështja mbetet e hapur dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar pas ankesës.
Shitja e klubit nuk është vendosur
Kogan bëri të qartë se IFR do të shqyrtojë mundësinë e nisjes së një hetimi të vetin pasi të përfundojë procesi i apelimit. Vetëm më pas do të vendoset nëse do të ndërmerren masa ndaj pronarëve të klubit.
Kështu, Manchester City nuk është urdhëruar të shitet, por mundësia e një ndërhyrjeje të tillë tashmë është konfirmuar nga drejtuesi i rregullatorit anglez.
Një vendim i mundshëm në këtë drejtim do të përbënte një zhvillim të jashtëzakonshëm për klubin e drejtuar nga Pep Guardiola, i cili prej vitesh është ndër fuqitë kryesore të futbollit evropian. /Zëri

