Manchester City raportohet se është gati të sigurojë zëvendësuesin e Rodrit, teksa po shton përpjekjet për të transferuar objektivin e tij kryesor në mesfushë.
Epoka e re te City ka nisur me Enzo Marescan në krye të skuadrës, pasi Pep Guardiola i dha fund aventurës së tij dhjetëvjeçare në fund të sezonit të kaluar.
Përforcimi i parë i Marescas ishte Elliot Anderson, i cili u transferua nga Nottingham Forest për një shifër rekord në futbollin anglez prej 116 milionë eurosh në fillim të korrikut.
Anderson kreu testet mjekësore gjatë kohës që ishte i grumbulluar me Anglinë në Kupën e Botës, ndërsa më pas City zyrtarizoi edhe portierin Pierce Charles nga Sheffield Wednesday dhe talentin 16-vjeçar Jeremy Monga, i ardhur nga Leicester City.
Tani, sipas The Athletic, kampionët anglezë e kanë përqendruar vëmendjen te mesfusha dhe po intensifikojnë përpjekjet për të transferuar talentin e Lille, Ayyoub Bouaddi.
Mesfushori 18-vjeçar, i cili është produkt i akademisë së Lille, është një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës me Marokun, pasi vendosi të ndryshojë përfaqësuesen, duke lënë Francën vetëm disa javë para fillimit të turneut.
Bouaddi kontribuoi në ecurinë historike të Marokut deri në çerekfinale, ku skuadra u eliminua me rezultat 2-0 pikërisht nga Franca.
Sipas raportit, për shërbimet e tij interesohen edhe disa klube të tjera angleze, përfshirë Arsenalin dhe Manchester Unitedin. Megjithatë, Manchester City besohet se ka një avantazh të rëndësishëm, pasi mund t’i ofrojë futbollistit minuta të menjëhershme me ekipin e parë.
Raportohet gjithashtu se fituesi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, nuk është i interesuar ta transferojë Bouaddin në këtë fazë, gjë që rrit shanset e klubeve të tjera për të siguruar firmën e talentit maroken./Telegrafi/
