Franca dhe Gjermania kërkojnë marrëveshje për buxhetin e BE-së dhe financimin e Ukrainës deri në fund të vitit
Franca dhe Gjermania po bëjnë presion që Bashkimi Evropian të arrijë marrëveshje për buxhetin shtatëvjeçar 2028-2034 dhe financimin e Ukrainës deri në fund të vitit 2026, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në disa shtete anëtare gjatë vitit të ardhshëm.
Liderët evropianë synojnë të përmbyllin negociatat sa më shpejt, pasi zgjedhjet në Francë, Itali, Poloni, Greqi, Estoni, Finlandë dhe Sllovaki mund ta komplikojnë edhe më shumë arritjen e një kompromisi për buxhetin e ardhshëm të Unionit.
Buxheti shtatëvjeçar, nga i cili financohen politikat kryesore të BE-së, duhet të miratohet njëzëri nga të gjitha 27 shtetet anëtare.
Një faktor që ka përshpejtuar përpjekjet për arritjen e marrëveshjes është edhe mundësia e fitores së politikanes së ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Le Pen ka premtuar ndërprerjen e ndihmës financiare për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus, si dhe uljen e kontributit të Francës në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Macron dhe Merz duan marrëveshje deri në fund të vitit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi se marrëveshja duhet të arrihet deri më 31 dhjetor 2026, pasi më pas Franca do të hyjë në periudhën e fushatës për zgjedhjet presidenciale.
“Pas 31 dhjetorit, nuk do të jem më në një pozitë politike apo demokratike për ta rihapur diskutimin mbi buxhetin dhe për ta përmbyllur atë, sepse do të hyjmë në një periudhë shumë pranë zgjedhjeve presidenciale në Francë”, deklaroi Macron.
Edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përmendi fundin e vitit 2026 si afat për arritjen e marrëveshjes, shkruajnë mediat.
Megjithatë, takimi i fundit i liderëve evropianë përfundoi pa ndonjë rezultat konkret. Bisedimet pritet të shërbejnë si bazë për presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, që gjatë javëve të ardhshme të paraqesë një propozim të ri, me synimin që qeveritë anëtare të arrijnë kompromis në samitin e 17 dhe 18 dhjetorit.
Kancelari austriak, Christian Stocker, tha se edhe negociatat që nuk prodhojnë rezultatin e dëshiruar janë të nevojshme për të arritur përparim.
“Edhe pse sot qartazi nuk arritëm t’i kapërcenim dallimet, tani ndoshta e dimë se çfarë nevojitet për të siguruar suksesin herën tjetër”, deklaroi ai.
Buxheti prej 1.582 trilionë eurosh
Sipas propozimit aktual, buxheti i BE-së për periudhën 2028-2034 do të arrinte në 1.582 trilionë euro.
Në këtë shumë përfshihen edhe 140 miliardë euro të dedikuara për shlyerjen e borxheve të krijuara gjatë pandemisë së COVID-19.
Pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 740 miliardë euro, do të përdorej për mbështetjen e fermerëve evropianë dhe zhvillimin e rajoneve më të varfra të Bashkimit Evropian, me qëllim që ato të afrohen ekonomikisht me rajonet më të pasura.
Negociatat mbeten të vështira, pasi 27 shtetet anëtare duhet të pajtohen jo vetëm për madhësinë e buxhetit, por edhe për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe financimin e mbështetjes për Ukrainën. /Telegrafi/

