Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë mbrëmë në një ndeshje spektakli në stadiumin “Letzigrund” të Cyrihut, ku u përballën ekipet e miqve të futbollistëve legjendarë Ronaldinho dhe Alessandro Del Piero.
Pjesëmarrjen në këtë ngjarje e ka bërë të ditur vetë Lladrovci përmes një postimi, ku ka treguar se ishte i ftuar nga Kushtrim Musliu, kreator dhe pronar i brendit të orëve “Helfer Geneve”, transmeton lajmi.net.
Në këtë organizim, sipas Lladrovcit, morën pjesë edhe të ftuar shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa ndeshja u organizua nga Marcel Nalyan dhe Roberto Pinto, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Cyrih.
Lladrovci e ka cilësuar këtë ngjarje si një festë të futbollit dhe nostalgjisë, e cila, sipas tij, nderoi gjeneratat e emigrantëve shqiptarë që ndërtuan jetën në Zvicër.
“ Ishte festë e futbollit dhe nostalgjisë që nderonin prindërit dhe gjyshërit emigrantë që kishin ndërtuar jetën në Zvicër, që bashkonin kultura dhe gjenerata të ndryshme përmes futbollit”, ka shkruar ai.
Në postimin e tij, kryetari i Drenasit ka vlerësuar edhe suksesin e Kushtrim Musliut në ndërtimin e brendit “Helfer Geneve” në tregun zviceran të orëve, ku konkurrenca është e madhe.
Në fund, Lladrovci e ka falënderuar Musliun për ftesën, duke i uruar suksese në zhvillimin e mëtejmë të brendit të tij në tregun ndërkombëtar./lajmi.net/

