Lionel Messi është bërë zyrtarisht pronari i ri i klubit spanjoll UE Cornella, duke hedhur një hap të madh në drejtim të pronësisë së një klubi futbolli.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një komunikate zyrtare, ku bëhet e ditur se legjenda argjentinase ka finalizuar blerjen e skuadrës nga Baix Llobregat.
“Cornella njofton se futbollisti argjentinas dhe fituesi tetë herë i Topit të Artë, Leo Messi, ka formalizuar blerjen e klubit, duke u bërë pronari i ri i institucionit nga Baix Llobregat”.
“Ky hap përforcon lidhjet e ngushta të Messit me Barcelonën dhe përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të sportit dhe talenteve lokale në Kataloni – një lidhje që buron nga vitet e tij te FC Barcelona dhe që ka vazhduar deri më sot”.
Klubi, i themeluar në vitin 1951, konsiderohet një nga më tradicionalët në futbollin katalunas dhe është i njohur për akademinë e tij të fortë dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj.
“UE Cornella është një nga klubet me traditën më të madhe në futbollin katalunas dhe në nivel kombëtar. Gjatë historisë së tij, klubi është dalluar për akademinë e fortë dhe aftësinë për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit gjysmë-profesionist në Spanjë”.
Nga ky klub kanë dalë disa emra të njohur të futbollit, përfshirë portierin e Arsenalit, David Raya, ish-bashkëlojtarin e Messit te Barcelona dhe Inter Miami, Jordi Alba si dhe lojtarë të tjerë si Gerard Martin, Javi Puado, Keita Balde, Aitor Ruibal dhe Ilie Sanchez.
Klubi ka vënë theks të veçantë edhe te zhvillimi i të rinjve, me skuadra që garojnë në nivelet më të larta të futbollit të moshave, ndërsa kjo përputhet me përkushtimin e Messit ndaj talenteve të reja, siç është edhe turneu “Messi Cup”, i organizuar për herë të parë në Miami me pjesëmarrjen e disa prej akademive më të mëdha në botë.
“Ardhja e Leo Messit shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë e klubit, me synimin për të nxitur rritjen sportive dhe institucionale, për të forcuar themelet dhe për të vazhduar investimin në talent”./Telegrafi/