Liga Premier ka refuzuar kërkesën e Manchester Cityt për ta ndryshuar renditjen e dy ndeshjeve të fundit në kampionat, duke i “ndërruar” përballjet me Crystal Palace dhe Bournemouth, raporton “Daily Mirror”.
Sipas këtij raportimi, Man City do ta luajë fillimisht ndeshjen në shtëpi ndaj Crystal Palace të mërkurën (13 maj), vetëm tri ditë para finales së FA Cup që zhvillohet të shtunën (16 maj).
Më pas, skuadra e Pep Guardiolës do të udhëtojë për ndeshjen ndaj Bournemouth të martën (19 maj), në një kalendar që mbetet i ngjeshur dhe vendimtar për ambiciet e sezonit.
Ky vendim i ligës vjen në një moment kritik të luftës për titull, ku Arsenali kryeson me 73 pikë pas 34 ndeshjeve, ndërsa Manchester City është i dyti me 70 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar (33).
Me diferencë vetëm tri pikë, çdo hap i gabuar mund të jetë fatal, sidomos për Man Cityn që duhet të menaxhojë njëkohësisht edhe finalen e FA Cup, pa luksin e pushimit shtesë që do t’i sillte ndryshimi i orarit.
Në anën tjetër, Arsenali e ka presionin te rezultatet e veta, por gjithashtu e di se Man City ka ende gjithçka në duart e tij për shkak të ndeshjes së prapambetur — dhe një seri fitoreje e “Citizens” do ta kthente garën për titull në sprint deri në javën e fundit. /Telegrafi/