Edhe pse e mbylli sezonin në vendin e dytë në Superligë, Malisheva ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me trajnerin Bylbyl Sokoli.
Klubi malishevas ka bërë të ditur se pas një takimi mes drejtuesve dhe trajnerit është arritur marrëveshja që bashkëpunimi të përfundojë në këtë fazë.
Në komunikatën zyrtare, klubi ka vlerësuar kontributin e Sokolit gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës:
“Klubi falënderon trajnerin Sokoli për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së bashkëpunimit, ndërsa trajneri shpreh mirënjohjen e tij për besimin, mbështetjen dhe korrektësinë e treguar nga klubi gjatë kësaj kohe. KF Malisheva dhe Bylbyl Sokoli ndahen në frymë respekti dhe vlerësimi të ndërsjellë, duke i uruar njëri-tjetrit shumë suksese në vazhdim të rrugëtimit sportiv dhe profesional”, thuhej në komunikatën e klubit.
Sokoli kishte marrë drejtimin e ekipit në pjesën e fundit të sezonit, ku arriti të sjellë një seri rezultatesh pozitive që ndihmuan skuadrën të përfundojë kampionatin në pozitën e dytë.
Në tetë ndeshje të drejtuara prej tij, Malisheva regjistroi gjashtë fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, një bilanc që konsiderohet i suksesshëm për fazën e fundit të kampionatit./Telegrafi/
