KORREKT / SOT9 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

LDK-ja i reagon Shiroka-Pulës për largimin e fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca

LDK-ja i reagon Shiroka-Pulës për largimin e fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në Presidencë, raporton GazetaBlic.

LDK-ja e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, duke theksuar se këto dy simbole përfaqësojnë themelet historike dhe shtetërore të Kosovës.

Në reagimin e saj, kjo parti i ka kërkuar presidentes rishikimin e vendimit dhe rikthimin e fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të mëparshme.

Reagimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë, të vendosura përkatësisht nga Presidentja Osmani dhe Presidenti Sejdiu.

Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai. Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm.

Presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Nderimi i tyre në institucionin e Presidencës është shprehje e respektit ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës.

Largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional. Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj.

LDK-ja kërkon rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë. Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.