Banorët e lagjes Lakrishte në Prishtinë po përballen prej më shumë se dy muajsh me gropa në rrugën “Viktor Majer”.
Ata thonë se gjendja e rrugës po ua dëmton automjetet dhe po ua vështirëson qarkullimin, ndërsa shqetësimet shtohen me afrimin e dimrit dhe reshjeve të shiut.
Banorët janë të pakënaqur me zvarritjen e punimeve, duke thënë se më mirë do të ishte që rruga të mos hapej fare, sesa të mbetej në këtë gjendje për kaq gjatë.
Për vonesën ka ngritur shqetësim edhe kryetari i këshillit lokal në Lakrishte Jahë Balaj. Ai tha se javën e kaluar i ka dërguar kërkesë Drejtorisë së Investimeve Kapitale për ndërhyrje, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Nga kjo drejtori kanë thënë për Klanin se në ditët në vijim pritet të bëhet sanimi i gropave përmes asfaltimit, por nuk kanë treguar arsyen e vonesës prej gati 60 ditësh.

