Në vend të kafesë së dyfishtë apo këshillave për produktivitet, hulumtimi e kthen vëmendjen te një moment privat që shumë njerëz nuk e lidhin fare me karrierën
Harrojeni kafenë e dyfishtë dhe fjalimet motivuese. Çelësi i suksesit mund të fshihet aty ku më së paku e prisni – në dhomën tuaj të gjumit. Një hulumtim i ri pretendon se pak intimitet nën çarçafë në agim mund të përmirësojë ndjeshëm produktivitetin e punonjësve dhe madje t’u hapë rrugën drejt rritjes së pagës dhe avancimit në karrierë.
Sipas një raporti disi provokues, të cilin e transmeton New York Post, punonjësit që praktikojnë seks në mëngjes shënojnë rezultate të dukshme në vendin e punës. “Punonjësit amerikanë me orar të plotë që kanë marrëdhënie seksuale para punës tregojnë nivelin më të lartë të produktivitetit (71 për qind), suksesit në përmbushjen e detyrave (70 për qind), fokusit (58 për qind), motivimit (57 për qind) dhe kënaqësisë në punë (54 për qind)”, zbulojnë autorët e studimit të realizuar nga farmacia online ZipHealth.
Përfitimet e afërsisë së hershme në mëngjes nuk mbeten vetëm në nivelin e humorit apo energjisë – sipas këtij hulumtimi, ato mund të reflektohen edhe në aspektin profesional dhe financiar.
“Gati çdo i pesti punonjës që praktikon seks në mëngjes (19 për qind) ka deklaruar se ka marrë avancim në detyrë gjatë vitit të fundit, më shumë se në çdo grup tjetër”, theksojnë ekspertët. “Më shumë se gjysma e tyre (51 për qind) pohojnë se kanë marrë rritje page, gjë që i vendos po ashtu në krye të renditjes.”
Duket se pak afërsi para fillimit të ditës së punës, të paktën sipas këtij studimi, mund të shpërblehet në më shumë se një mënyrë, transmeton Telegrafi.
Për të kuptuar më mirë ndikimin e intimitetit të mëngjesit, hulumtuesit anketuan 1.000 amerikanë të punësuar, duke përfshirë të gjitha gjeneratat – nga Gjenerata Z në të njëzetat e tyre, deri te Baby Boomers mbi moshën 60-vjeçare. Rezultatet treguan se gjeneratat më të vjetra, Baby Boomers dhe Gjenerata X, pra personat mbi 45 vjeç, janë më aktivë në mëngjes (20 për qind), të ndjekur nga milenialët (17 për qind) dhe Gjenerata Z (16 për qind).
Edhe pse kjo praktikë duket se është e përhapur, punonjësit në disa industri e nisin ditën me “aksion” më shpesh se të tjerët. Në krye të listës së profesioneve me më së shumti entuziastë të seksit të mëngjesit është marketingu. Pas tij vijnë hoteleria dhe gastronomia, prodhimi dhe ndërtimtaria, ndërsa pesëshen e parë e përmbyll industria e argëtimit.
Ky ritual i mëngjesit, sipas studimit, mund të jetë një “ngritës energjie” më i mirë se kafeina. Më shumë se 35 për qind e të punësuarve – nga drejtuesit deri te fillestarët – ia atribuojnë seksit të mëngjesit, e jo kafesë, meritat për disponimin e mirë gjatë ditës.
Hulumtuesit po ashtu kanë vërejtur se intimiteti i hershëm mund të lidhet edhe me përfitime për shëndetin mendor. “Amerikanët që kanë seks në mëngjes raportojnë nivelet më të larta të lumturisë, vetëbesimit dhe stabilitetit emocional”, thuhet në raport.
Personat që praktikojnë seks në mëngjes kanë raportuar:
• 68 për qind nivel më të lartë të lumturisë së përgjithshme
• 63 për qind stabilitet më të madh emocional
• 58 për qind vetëbesim më të fortë
• 49 për qind menaxhim më të mirë të stresit
“Krahasuar me periudhat e tjera të ditës, si mbrëmja apo nata vonë, intimiteti i mëngjesit renditet vazhdimisht më lart në të gjitha matjet e mirëqenies emocionale dhe mendore”, theksojnë autorët.
Në një kulturë të fiksuar pas metodave për më shumë produktivitet, ndoshta një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të këndshme tashmë ndodhet në dhomën tuaj të gjumit. Pak intimitet në mëngjes mund të jetë sekreti i një dite më të lumtur, më të sigurt dhe, pse jo, edhe më të suksesshme në punë. /Telegrafi/
