Roboti humanoid kinez, Unitree H2-X demonstron lëvizje të arteve marciale dhe potencial për përdorim në siguri, mbrojtjen e njerëzve dhe operacionet e shpëtimit.
Sipas raportimeve, në një video demonstrimi roboti kryen një sërë lëvizjesh të frymëzuara nga artet marciale, ndërsa paraqiten edhe aftësitë e tij në situata të simuluara emergjente.
Në mesin e demonstrimeve është edhe ngritja e pjesës së përparme të një veture, si dhe reagimi ndaj një aksidenti trafiku.
Sipas kompanisë, roboti mund të funksionojë deri në tetë orë, krahasuar me tri orë te modeli standard H2.
Prezantimi i robotit të ri ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, ku përdoruesit kanë diskutuar mundësinë e përdorimit të robotëve humanoidë për sigurinë në shtëpi, mbrojtjen e njerëzve dhe ndërhyrjet në situata emergjente.
Disa përdorues vlerësuan se robotë të tillë mund të përdoren në të ardhmen për mbikëqyrjen e objekteve dhe për të ndihmuar në situata të rrezikshme. Të tjerë theksuan se përdorimi i tyre praktik do të varet nga besueshmëria, siguria dhe aftësia për të marrë vendime në mënyrë autonome.
Kompania Unitree më herët ka prezantuar edhe robotin humanoid G1. Sipas kompanisë, që nga lansimi i tij në maj të vitit 2024, janë prodhuar rreth 10 mijë deri në 20 mijë njësi.
Zhvillimi i robotëve humanoidë po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga demonstrimet laboratorike drejt përdorimit në industri, logjistikë, siguri dhe shërbime të shpëtimit.
Megjithatë, funksionimi i besueshëm në situata të paparashikueshme mbetet një nga sfidat kryesore për përdorimin e gjerë komercial të kësaj teknologjie. /Telegrafi/

