Kombëtarja e Zvicrës hodhi një hap të madh drejt fazës eliminatore të Kupës së Botës, pasi mposhti Bosnjën dhe Hercegovinën me rezultat 4-1 në Los Angeles.
Heroi i mbrëmjes ishte 20-vjeçari Johan Manzambi. Futbollisti i Freiburgut u aktivizua nga stoli në minutën e 71-të dhe vetëm tri minuta më vonë gjeti rrugën e rrjetës. Ai shënoi edhe një herë në minutën e 90-të, duke vulosur fitoren bindëse të helvetikëve.
Golashënues të tjerë për Zvicrën ishin Ruben Vargas dhe kapiteni Granit Xhaka, ndërsa Manzambi pranoi pas ndeshjes se kjo ishte nata më e bukur e karrierës së tij.
“Po, ky është ndoshta momenti më i mirë i karrierës sime deri më tani. E dinim se nuk e nisëm mirë dhe duhej të ishim të duruar. Por ne jemi një ekip i mirë dhe mendoj se e treguam këtë sonte”, deklaroi talenti 20-vjeçar.
Me këtë fitore, Zvicra ka grumbulluar katër pikë dhe është shumë pranë sigurimit të kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Nga ana tjetër, Bosnja dhe Hercegovina do të kërkojë fitoren ndaj Katarit në ndeshjen e fundit për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Në raundin e fundit, Zvicra do të përballet me vendin organizator, Kanadanë, në një duel që pritet të vendosë renditjen përfundimtare në grup. /Telegrafi/
