E ardhmja e Giorgi Kvernadzes po bëhet gjithnjë e më e paqartë, ndërsa ëndrra për të kaluar në kryeqytet dhe për të veshur fanellën e Romës duket se po merr një tjetër drejtim.
Sulmuesi gjeorgjian i Frosinones ishte përmendur së fundmi si një nga emrat që mund të përforconin repartin ofensiv të skuadrës së Gian Piero Gasperinit. Megjithatë, sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, entuziazmi për 23-vjeçarin duket se është zbehur dhe trajneri i Romës mund të ketë preferenca të tjera për merkaton e janarit.
Gasperini kërkon një futbollist me karakteristika të veçanta në fazën sulmuese: një lojtar që mund të luajë në krahun e majtë, të krijojë epërsi në duelet një kundër një dhe të sjellë menjëherë më shumë rrezik në zonën kundërshtare.
Drejtuesit e Romës po shqyrtojnë alternativa të tjera, duke kërkuar një emër që mund të japë kontribut të menjëhershëm në objektivat e skuadrës.
Për momentin, mbetet për t’u parë nëse Roma do ta rikthejë interesimin për talentin gjeorgjian apo do të përqendrohet përfundimisht te emra të tjerë për të përforcuar repartin ofensiv./IndeksOnline/

