Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot, me vota unanime, një deklaratë përmes së cilës shpreh mospajtimin me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deklarata është iniciuar nga këshilltari komunal Bujar Nevzati nga PDK-ja dhe ka marrë mbështetjen e të gjitha grupeve të këshilltarëve komunalë.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, ka theksuar se çështja ka peshë të veçantë për Gjilanin, duke kujtuar humbjet dhe sakrificën e qytetarëve gjatë luftës.
“Për Gjilanin, kjo çështje ka peshë të veçantë, pasi gjatë luftës në Kosovë humbën jetën 98 civilë dhe ranë 50 dëshmorë, ndërsa shumë familje dhe fshatra u përballën me shkatërrim dhe djegie të tërësishme nga forcat serbe”, ka deklaruar Latifi Kqiku.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe ka shprehur besimin se ai do të korrigjohet në procedurat e mëtejshme gjyqësore.
Përmes deklaratës, Kuvendi i Gjilanit ka shprehur solidaritet me qytetarët e komunës, veçanërisht me familjet e të rënëve, si dhe me familjet e martirëve, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.
Në deklaratë, me mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, shprehet mospajtimi me vendimin dhe kërkohet që në procedurat e mëtejshme gjyqësore të shqyrtohen të gjitha pretendimet, provat dhe çështjet që lidhen me përgjegjësinë individuale të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit po vazhdon me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës. /Telegrafi/