Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 43,586,882 eurosh.
Sipas kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, projektbuxheti është miratuar me 25 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm shënon rritje prej 1.65 milionë eurosh, apo 3.95 për qind, krahasuar me vitin paraprak.
Hyseni ka thënë se buxheti është hartuar pas dëgjimeve dhe konsultimeve publike.
“Ky buxhet është produkt i dëgjimeve dhe konsultimeve të shumta publike dhe reflekton bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e lartë ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar Hyseni.
Ai ka falënderuar anëtarët e Kuvendit Komunal për votimin e projektbuxhetit.
Komuna e Gjilanit ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit dëgjime publike në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2027. Më 21 shtator, në një dëgjim me gratë, janë diskutuar kërkesat dhe prioritetet që synohet të përfshihen në planifikimin dhe shpërndarjen e buxhetit komunal. /Telegrafi/