Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar në Prishtinë se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm politik, juridik dhe ndërkombëtar, duke theksuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Kosovën.
“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë,” u shpreh Hoxha në konferencë për media pas takimit me homologun e tij Glauk Konjufca.
Ai gjithashtu ka kritikuar qasjet që ende nuk e pranojnë realitetin e Kosovës, duke iu referuar edhe nismave në rajon, përfshirë edhe në Mal të Zi për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Çdo kush që ende nuk e ka kuptuar që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm politik, juridik e ndërkombëtar, jeton në një kohë tjetër dhe sheh ëndrra me sy hapur,” ka thënë Hoxha, duke i cilësuar këto qëndrime si “somnambul politik”.
Gjithashtu, ai theksoi se Shqipëria qëndron fuqishëm pranë Kosovës përballë çdo cenimi të sigurisë së saj dhe institucioneve shtetërore, duke përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, për të cilat tha se kërkohet llogaridhënie e plotë.
Hoxha theksoi se Kosova ka qenë pjesë e pandarë e angazhimit të tij diplomatik ndër vite dhe se vizita në Prishtinë ka një domethënie të veçantë për të.
“Ndjej emocion të jem në Prishtinë në këtë vizitë time të parë zyrtare si ministër i Punëve të Jashtme për Evropën,” u shpreh ai.
Hoxha theksoi se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se zhvillimet në Kosovë kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Shqipëri.
“Në Tiranë nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm që Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme,” deklaroi ai.
Ai shtoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të rrisin koordinimin ndërqeveritar dhe diplomatik, duke kërkuar më shumë efikasitet dhe më pak burokraci në bashkëpunim.
Hoxha bëri thirrje që të avancohet integrimi ndërkombëtar i Kosovës, duke e konsideruar atë në interes të të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet pakicë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë veçoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe UNESCO, si dhe mbështetjen për rrugën euroatlantike, duke theksuar rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave dhe trashëgimisë kulturore. /Telegrafi/
