Manchester United po përgatit një ofertë zyrtare prej 40 milionë eurosh për talentin 16-vjeçar të Palmeiras, Eduardo Conceicao, duke u bashkuar në garën së cilës tashmë i janë vënë më herët Manchester City dhe Barcelona.
Me këtë veprim, klubi nga Old Trafford e shtrëngon ndjeshëm luftën për një nga lojtarët e rinj më të kërkuar në futbollin e Amerikës së Jugut, shkruan Daily Mail. Në titullin e tyre, mediumi anglez e përshkruajnë atë si: “talenti më i kërkuar në futbollin botëror”.
Klubi nga Old Trafford ka bërë kontaktet fillestare dhe tani po punon për formalizimin e një oferte, e cila do të vlente 40 milionë euro në kushte fikse, me bonuse që ende nuk janë përcaktuar.
Megjithatë, Palmeiras po kërkon një çmim më të lartë dhe pret që kompensimi, duke përfshirë bonuset, ta kalojë këtë shumë. Klubi brazilian ka refuzuar tashmë ofertën e Newcastle United prej 25 milionë eurosh plus 15 milionë euro bonuse.
Vendimi përfundimtar i Palmeiras mund të varet edhe nga marrëveshje të tjera. Napoli kohët e fundit ofroi 35 milionë euro për mesfushorin 22-vjeçar Allan, një lojtar i rregullt i ekipit të parë nën drejtimin e trajnerit Abel Ferreira, por kjo ofertë u refuzua. Nëse Allan shitet, klubi mund të vendosë të presë për të shitur Conceicaon.
Në garën për brazilianin e ri, City dhe Barcelona janë ende në një fazë të avancuar negociatash. City e ka pozicionuar veten si një nga klubet më agresive, ndërsa Barcelona e sheh avantazhin e saj në ndikimin e drejtorit sportiv Deco. Si pjesë e negociatave, ai vendosi kontakt të drejtpërdrejtë me Joao Paulo Sampaion, koordinatorin e akademisë së futbollit të Palmeiras.
Situata po monitorohet nga afër edhe nga Paris Saint-Germain, të cilët kanë ndjekur një qasje më të kujdesshme dhe po presin rezultatin e negociatave. Ndërkohë, përfaqësuesit e lojtarit të ri dhe familja e tij kanë vizituar disa vende evropiane, përfshirë Anglinë dhe Francën, për të vlerësuar destinacionet e mundshme. Vendimi, siç pritet, do të varet nga kushtet financiare dhe projekti sportiv që i ofrohet lojtarit.
Kush është Eduardo Conceicao?
Eduardo Conceicao, i cili përfaqësohet nga DSA Sports, luajti së fundmi për Brazilin në Kampionatin e Amerikës së Jugut U-17 në Paraguai. Duke veshur fanellën me numrin 10, ai shënoi dy gola dhe dha dy asistime në pesë ndeshje, ndërsa Brazili përfundoi i treti në këtë garë. Tani pritet që ai të integrohet gradualisht në ekipin e parë të Palmeiras për të fituar minuta në nivelin senior.
Me 16 vjet e pak e katër muaj, Conceicao mund të bëhet debutuesi i tretë më i ri në historinë e Palmeiras, pas Endrick (16 vjet e dy muaj) dhe Rodrigo Taddei (16 vjet e tre muaj). Ai shihet brenda klubit si një talent unik, zhvillimi i të cilit ndryshon nga ai i yjeve të kohëve të fundit si Endrick dhe Estevao.
Vlerësimet e ekspertëve
“Endrick dhe Estevao kanë qenë në qendër të vëmendjes që kur ishin 11 vjeç. Eduardo po e merr këtë vëmendje vetëm tani dhe ne nuk i dimë kufijtë e tij, gjë që në fakt është një pasiguri e mirë”, tha koordinatori i akademisë së klubit, Joao Paulo Sampaio.
Lucas Andrade, ish-trajneri i Palmeiras U-20 dhe aktualisht ndihmës-trajner i ekipit kombëtar të Brazilit U-20, e përshkroi profilin e tij në më shumë detaje.
– YouTube www.youtube.com
“Eduardo është një mesfushor sulmues që i pëlqen ta mbajë topin. Ai mund të luajë edhe në të majtë, por ndeshjet e tij më të mira janë në qendër, si një numër 10. Ai është një driblues që depërton në linja si me vrapim ashtu edhe me pasime vertikale”, tha Andrade.
“Ai ka karakteristikat për Ligën Premier. Ai kombinon cilësinë teknike me forcën fizike, shpejtësinë dhe aftësinë për të mbajtur topin me kontakt, gjë që është thelbësore në një ligë kaq intensive”, përfundoi ai. /Telegrafi/