Ministrja e MINTI-it, Mimoza Kusari-Lila, sot në Tiranë, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë së Shqipërisë, mori pjesë në takimin ministror (Ministerial Meeting), të mbajtur në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes.
Përmes një postimi në Facebook, ajo bëri të ditur se në fokus të diskutimit ishte Autostrada e Tregut të Përbashkët (Single Market Highëay).
“Së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të DG GROË në Komisionin Evropian, znj. Kerstin Jorna, dhe homologët nga rajoni – Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, z. Nik Gjeloshaj, si dhe Ministrin e Ekonomisë dhe Punës të Maqedonisë së Veriut, z. Besar Durmishi – diskutuam për transformimin industrial dhe rritjen e kapaciteteve konkurruese të ekonomive tona”, ka shkruar ajo, transmeton IndeksOnline.
Gjatë diskutimit, ministrja theksoi se ka prezantuar potencialin që Kosova tashmë po dëshmon në sektorë konkretë, si përpunimi i metaleve, materialet e ndërtimit, ndërtimet e parafabrikuara, përpunimi i drurit, plastika dhe produktet elektrike, ku kompanitë po rrisin eksportet dhe po integrohen gjithnjë e më shumë në zinxhirët evropianë të vlerës.
“Theksova se përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së është vetëm hapi i parë. Sfida kryesore mbetet ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe teknike për testim, certifikim dhe akreditim sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht. Në këtë drejtim, Marrëveshja për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale (ACAA) mbetet një instrument kyç për lehtësimin e tregtisë dhe eliminimin e barrierave teknike”, ka bërë të ditur ajo.
Njëkohësisht, Kuari-Lila theksoi rëndësinë e eliminimit të çdo pengese që cenon pjesëmarrjen e Kosovës, si vend i barabartë, në të gjitha nismat rajonale, veçanërisht ato të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian.
“Pjesëmarrja e barabartë është kusht themelor për një bashkëpunim të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Integrimi evropian duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme për bizneset tona. Kjo kërkon udhërrëfyes sektorialë, instrumente financiare për modernizim teknologjik, digjitalizim dhe efiçiencë të energjisë, zhvillim të aftësive të fuqisë punëtore, si dhe lidhje të drejtpërdrejta të prodhuesve tanë me kompanitë evropiane”.

