Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kurti ka thënë se për përmbylljen e këtij procesi është shpenzuar shumë energji, duke përfshirë konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se presidentja e re, Justina Shiroka-Pula, të mërkurën ka pranuar zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e detyrës së presidentes, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit, tashmë janë krijuar kushtet për funksionimin e institucioneve pa pengesa dhe përqendrimin në punën e tyre.
“Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se puna e institucioneve duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushje të zotimeve dhe programit qeverisës.
“Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës”, ka shkruar kryeministri.
Në fund të reagimit, Kurti ka uruar edhe një herë për përmbylljen e procesit institucional.
“Edhe një herë urime të gjithëve!”, ka përfunduar ai./Telegrafi.