Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn.
Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Përmes një postimi, Kurti e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një partneritet të dyfishtë të Kosovës, me shtetin e Ajovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tërësi.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare të këtij shteti amerikan për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar gjeneralin Osborn për bashkëpunimin dhe përkrahjen në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Ndër të tjera, Kurti ka treguar se me gjeneralin amerikan kanë diskutuar edhe për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe situatën e sigurisë në vend e rajon.
“Biseduam për hapat tanë të parë, tejet të rëndësishëm, në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u pajtuam për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka bërë të ditur Kurti.

