Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se pasnesër bëhet një muaj nga aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për të cilin tha se mbështetet në baza të pasakta historike dhe faktike.
“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë të mbështesë, me mjetet që ka në dispozicion, të akuzuarit në procesin e Apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie”, deklaroi Kurti, transmeton Zeri.info.
Ai theksoi se për mbrojtjen e tyre nevojitet një strategji e mirorganizuar, e cila duhet të mbështetet në një analizë të thellë të procesit.
“Për mbrojtjen e tyre duhet një strategji e mirëmenduar. Fillimisht duhet një analizë e thellë që të veprojmë përpara. Në Apel na duhet suksesi dhe për këtë gjë na duhet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë bëri të ditur se gjatë mbledhjes së sotme do të merret një vendim, që e cilësoi të rëndësishëm në këtë drejtim. /Zëri

