KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Qeveria miraton marrëveshjet për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë

Qeveria miraton marrëveshjet për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dy vendime që lidhen me marrëveshjet për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë, duke i hapur rrugë procedurave për nënshkrimin e tyre.

Në mbledhjen e së mërkurës, kabineti qeveritar miratoi kërkesën drejtuar presidentes për autorizimin e ministrit përgjegjës për punë që të nënshkruajë Marrëveshjen për Sigurime Sociale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Po ashtu, unanimisht u miratua edhe vendimi për marrëveshjen e njëjtë me Turqinë.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur për marrëveshjen me Turqinë, tha se synimi është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në të dyja shtetet.

Sipas tij, koordinimi i skemave të sigurimeve sociale dhe bashkimi i periudhave të sigurimit do të mundësojnë që vitet e punës dhe kontributet e paguara në të dyja vendet të merren parasysh gjatë realizimit të të drejtave pensionale dhe sociale.

Kurti theksoi se qytetarët që kanë kontribuar në të dyja shtetet duhet t’i gëzojnë të drejtat e fituara, pavarësisht vendit ku vendosin të jetojnë dhe të punojnë.

“Marrëveshja synon të mbrojë të drejtat e qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në të dyja vendet, në mënyrë që lëvizja nga njëri shtet në tjetrin të mos ua cenojë sigurinë sociale. Përmes koordinimit të skemave dhe bashkimit të periudhave të sigurimit, synojmë që vitet e punës dhe kontributet e paguara të merren parasysh në realizimin e të drejtave pensionale dhe sociale. Qytetarët që kanë kontribuuar në dy shtetet meritojnë që puna e tyre të njihet dhe të drejtat e fituara t’u ruhen pavarësisht se ku e ndërtojnë jetën”, ka thënë kryeministri Albin Kurti për marrëveshjen me Turqinë.

Gjatë mbledhjes, Qeveria miratoi edhe një sërë pikash të tjera, përfshirë Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, të propozuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në mesin e vendimeve të miratuara ishte edhe Drafti i Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për periudhën 2026–2028, si dhe propozimi për mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Po ashtu, kabineti qeveritar miratoi kërkesën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për shitjen e nëntë automjeteve zyrtare, të cilat janë jashtë funksionit dhe nuk mund të përdoren më.

Në të njëjtën mbledhje, u miratua edhe kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve për Ndërmarrjen Shoqërore “Komogllava”.

Qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë dhe plotësojë vendimin nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022, që lidhet me zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare. Ky ndryshim synon harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian (CFSP).

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.