Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëherësh është edhe kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Gjatë takimit është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, bashkëpunimin ekonomik, proceset integruese dhe rolin e OSBE-së.
Kurti ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë ndërtuar mbi themelet e forta të lidhjeve të krijuara nga mërgata shqiptare dhe mbështetja zvicerane në kohë të vështira për Kosovën.
Ai ka përmendur edhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes me EFTA-n muajin e kaluar, duke e cilësuar si një kapitull të ri në tregtinë e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
Kryeministri ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e numrit maksimal të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it.
Në takim është diskutuar edhe për përfaqësimin e Kosovës në OSBE dhe rëndësinë e zbatimit të standardeve të barabarta në raportimin e kësaj organizate.
Në fund të takimit, ministri Cassis e ka ftuar Kurtin të marrë pjesë në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit 2027.
Nga ana tjetër, Kurti e ka ftuar diplomatin zviceran të vizitojë Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar të vitit të ardhshëm./IndeksOnline/

