Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshijë edhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), në Paris, ku foli për raportet me Serbinë dhe zhvillimet e fundit politike në këtë shtet, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se një nga kushtet për përparimin e procesit duhet të jetë dorëzimi i Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit në Banjskë, në mënyrë që të përballet me drejtësinë.
“E dyta ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, duke filluar me dorëzimin e Milan Radoiçiqit, arkitektit kryesor të tij, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë”, deklaroi Kurti.
Kreu i Qeverisë kërkoi gjithashtu që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga përpjekjet për ta penguar njohjen e saj ndërkombëtare.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete. Dhe Serbia duhet ta braktisë fushatën e saj agresive kundër njohjes sonë ndërkombëtare, përfshirë instrumentalizimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit tonë në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Kurti foli edhe për qeverinë e re që pritet të formohet në Serbi, duke thënë se ajo duhet ta njohë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur.
Megjithatë, Lista Studentore, e cila ka fituar zgjedhjet në Serbi, nuk ka sinjalizuar ndonjë ndryshim të qëndrimit sa i përket pavarësisë së Kosovës. Këtë qëndrim e ka bërë të qartë edhe gjatë një vizite në Kosovë./lajmi.net/

