KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kurti flet për vizitat në Paris dhe Dublin, kërkon përshpejtimin e integrimit evropian

Kurti flet për vizitat në Paris dhe Dublin, kërkon përshpejtimin e integrimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për pjesëmarrjen e tij në Forumin e Paqes në Paris dhe në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin, ku tha se në të dyja këto aktivitete është ritheksuar përkushtimi i Kosovës ndaj orientimit euro-atlantik.

Kurti ka kërkuar që procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian të mos vonohet më tej, duke theksuar nevojën që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian të japë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë, gjatë presidencës çeke.

Ai ka thënë se përmbushja e reformave është po aq e rëndësishme sa arritja e synimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi, sipas tij, përfitimet nga këto reforma janë të drejtpërdrejta për qytetarët dhe kontribuojnë në forcimin e shtetit.

“Në të dyja këto vizita dhe në të gjitha rastet theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes sonë euro-atlantike. Që rrugëtimi zyrtar i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin tonë, të dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Çekisë, që mbante presidencën e BE-së. Për ne, procesi nuk është më pak i rëndësishëm sesa arritja e cakut, meqenëse me përmbushjen e reformave”, potencoi ai.

Kryeministri ka folur edhe për synimet e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në Këshillin e Evropës. Anëtarësimin në NATO e ka cilësuar prioritet strategjik, duke e ndërlidhur me paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Evropën.

Ndërkaq, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kurti ka theksuar se ai do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik që do t’i shërbente paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe mbarë Evropën. Ndërkaq, pranimi në Këshillin e Evropës, mes të tjerash, do t’i mundësonte pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, ndërkaq qytetarëve të Kosovës do t’u mundësonte qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, potencoi ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, anëtarësimi në NATO dhe Këshillin e Evropës mbetet ndër synimet e politikës së jashtme të Kosovës.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.