Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar për finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është biseduar për dorëzimin formal të aplikimit te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Guvernatori Ismaili e ka informuar kryeministrin Kurti se sektori financiar është stabil dhe se Banka Qendrore e Kosovës ka qëndrueshmëri financiare.
Po ashtu, Kurti është njoftuar për përparimin në reformat e përqendruara në forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, në takim është diskutuar për zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta, TIPS Clone, i cili, krahas SEPA-s, do të ndikojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Në takim është theksuar rëndësia e bashkërendimit të institucioneve për zbatimin e reformave dhe angazhimeve të ndërmarra nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe përafrimin e mëtejmë të legjislacionit me BE-në.
Kryeministri Kurti dhe guvernatori Ismaili kanë shprehur vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit, me synim përmbushjen e prioriteteve strategjike për qëndrueshmëri financiare, modernizim të sektorit dhe përparim në integrimin evropian, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës.

