Një burrë 29-vjeçar nga Algjeria është arrestuar në Cyrih, pasi një banor arriti të gjurmonte kufjet që i ishin vjedhur nga banesa dhe ta udhëzonte policinë drejt vendndodhjes së tyre.
Vjedhja ndodhi të martën vonë në mbrëmje, në Distriktin 1 të Cyrihut. Sipas Policisë së Qytetit të Cyrihut, një person kishte hyrë në një apartament në katin përdhes përmes ballkonit, ku dera ishte e hapur, shkruan Watson.
Ai kishte marrë disa sende me vlerë, mes tyre kufje dhe një çantë shpine. Por, gjatë kohës që ndodhej në banesë, u befasua nga pronari, i cili i bërtiti. Pas kësaj, hajduti u largua përmes ballkonit.
Banori arriti të gjurmonte vendndodhjen e kufjeve të vjedhura dhe ia përcolli vazhdimisht këto informacione policisë.
Falë gjurmimit të kufjeve, policia arriti ta gjente dhe ta arrestonte të dyshuarin 29-vjeçar në Distriktin 4 të Cyrihut./Telegrafi/

