Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar një takim me senatorin e sapozgjedhur demokrat, Abdul El-Sayed, pas përplasjeve dhe ofendimeve të ndërsjella gjatë fushatës zgjedhore.
Trumpi e vlerësoi El-Sayedin, duke e cilësuar si “djalë të zgjuar”, ndërsa la të hapur mundësinë e një marrëveshjeje për reformimin e sistemit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për gazetën New York Post, presidenti amerikan tha se dëshiron të takohet me senatorin demokrat për të diskutuar propozimin e tij për një program të sigurimit shëndetësor që do të përfshinte të gjithë qytetarët amerikanë.
“Ai është djalë i zgjuar. E bëri mirë. Në fakt, e bëri shumë mirë”, deklaroi Trumpi, duke iu referuar propozimit të El-Sayedit që programi i ri të emërtohet “TrumpCare”.
“E di që do të takohem me të. Ndoshta ekziston një pikë e mesme ku mund të arrijmë një marrëveshje”, shtoi presidenti amerikan.
Propozimi i pazakontë i demokratit vjen në kuadër të platformës së tij për sigurim shëndetësor universal, të njohur si “Medicare for All”. El-Sayed ka sugjeruar që ky program të mbajë emrin e Trumpit, në një përpjekje për ta bindur presidentin që ta mbështesë reformën.
Ai madje ka publikuar në rrjetin social X një model të kartelës së sigurimit shëndetësor me emrin “TrumpCare”, duke e bërë të qartë se është i gatshëm të bashkëpunojë me administratën republikane për këtë çështje.
Megjithatë, afrimi i mundshëm mes tyre është veçanërisht i papritur për shkak të deklaratave të ashpra gjatë fushatës zgjedhore.
Pas fitores në zgjedhjet e 3 nëntorit, El-Sayed e kishte cilësuar Trumpin si “budalla joserioz”, ndërsa kishte thënë se demokratët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të, nëse presidenti tregon seriozitet.
El-Sayed, 42 vjeç, është mjek dhe epidemiolog, i cili më parë ka drejtuar shërbimet shëndetësore në Detroit dhe në qarkun Wayne. Me fitoren e tij, ai pritet të bëhet myslimani i parë në Senatin amerikan.
Paralajmërimi për takim vjen në një moment kur demokratët pritet të forcojnë pozitën e tyre në Kongres pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa çështja e sigurimit shëndetësor mbetet një nga temat kryesore të debatit politik në SHBA. /Telegrafi/

