Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka deklaruar se sezoni turistik i këtij viti ka qenë më i mirë krahasuar me vitet e mëparshme, me përjashtim të muajit korrik.
Ndreu tha se Shëngjini ka vijuar të ruajë ritmin e fluksit turistik, ndërsa një nga problemet kryesore gjatë sezonit ka qenë trafiku.
Sipas tij, zgjidhja e problematikës së qarkullimit në këtë zonë lidhet ngushtë me përfundimin e aksit rrugor Milot-Balldren.
Ndreu theksoi gjithashtu se turistët nga Kosova vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të klientelës në zonën turistike të Lezhës.
Sipas tij, rreth 65% e klientelës vjen nga Kosova, ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë pjesëtarë të diasporës.
“Sezoni i mirë ka qenë. Shëngjini vijon ta mbajë ritmin. Ka qenë shumë më i mirë se vjet, përjashto korrikun. Kemi monitoruar njësitë akomoduese. Problemi më i madh ka qenë trafiku. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, që pa Milot-Balldren, ajo zonë nuk merr zgjidhje.
Pjesëmarrje ka pasur. Shqiptarët e Kosovës janë të parët, 65% të klientelës i kemi nga Kosova. Ata janë pjesë të biznesit, janë pjesë të banesave aty dhe kanë blerë apartamente.
Shumica vijnë nga diaspora, vijnë dhe shkojnë me pushime në Shëngjin dhe Velipojë. Çmimet e shezlongëve kanë qenë 3 mijë lekë në Tale, 4 mijë në qendër në Shëngjin dhe te “Rana e Hedhun” 5 mijë lekë të vjetra. Po flas për baziket”, tha ai.
Sa i përket çmimeve të shezlongëve, ai tha se çmimet bazë kanë qenë rreth 3 mijë lekë në Tale, 4 mijë lekë në qendër të Shëngjinit dhe 5 mijë lekë të vjetra në “Rana e Hedhun”.
Më tej, Ndreu foli edhe për të ardhurat e bashkisë nga aktiviteti turistik, duke deklaruar se të ardhurat nga taksat në sektorin e turizmit janë rritur me 20%.
“Unë kam 20% më shumë të ardhura nga taksat në turizëm. Ne buxhetin nga viti 2019, sot e kemi dyfish, e kemi marrë 12.7 milionë euro, e kemi 25.5 tani dhe synojmë ta çojmë 30 milionë euro. Kemi ecur mirë”, tha ai./Tv Klan