Zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, ka vizituar Gjilanin, ku është pritur nga drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Jeton Rexhepi. Sipas njoftimit, fokus i vizitës kanë qenë tri shkollat profesionale të Komunës së Gjilanit.
Pas takimit në DKA, Kryeziu fillimisht vizitoi Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku u njoftua me profilet arsimore, kabinetet, investimet e realizuara dhe projektet zhvillimore të prezantuara nga drejtuesit e shkollës.
Më pas, ai vizitoi edhe objektin në ndërtim të shkollës së re të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, ku u informua për dinamikën e punimeve dhe angazhimin që projekti të përfundojë brenda afateve kontraktuale.
Në kuadër të mësimit dual, zëvendësministri Kryeziu dhe drejtori i DKA-së, Rexhepi, morën pjesë edhe në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së dytë të Shkollës së Agrobiznesit “Sahit Baftiu”, drejtimi kuzhinieri.
Drejtori Jeton Rexhepi tha se arsimi dual po konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme në arsimin profesional parauniversitar në Kosovë.
“Arsimi dual konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme në arsimin profesional parauniversitar në Kosovë, duke krijuar ura të forta ndërmjet shkollës dhe tregut të punës, si dhe duke i përgatitur të rinjtë për jetë dhe profesion përmes kombinimit të mësimit teorik me praktikën në kompani dhe biznese”, tha Rexhepi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se me “kënaqësi të veçantë” u shënua diplomimi i gjeneratës së dytë të arsimit dual në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”.
Sipas tij, ky sukses është rezultat i partneritetit me bizneset lokale, duke veçuar në këtë rast edhe biznesin “Astoria”, që kanë kontribuar në aftësimin praktik dhe profesional të nxënësve.
Hyseni theksoi se arsimi dual ka rezultuar i suksesshëm, pasi – sipas tij – një numër i madh i nxënësve kanë pranuar oferta pune menjëherë pas diplomimit.
“Si Komunë e Gjilanit, do të vazhdojmë të mbështesim arsimin profesional dhe bashkëpunimin me sektorin privat, me synimin që të rinjtë tanë të kenë më shumë mundësi zhvillimi dhe punësimi në vendin e tyre. Urime të gjithë nxënësve për diplomimin dhe suksese në rrugëtimin e tyre profesional”, tha Hyseni. /Telegrafi/
