Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, ka vendosur dje të blejë një bagetë (bukë), por ky veprim ka zemëruar sindikatat në mbarë vendin, pasi ndodhi në Ditën Ndërkombëtare të Punës, më 1 Maj.
Lecornu, në prani të gazetarëve, bleu bukë në një furrë lokale, dhe pasi lajmi u publikua në mediat franceze, pasoi një reagim i ashpër nga sindikatat.
Arsyeja e reagimit lidhet me faktin se furra ishte e hapur më 1 maj, ndërkohë që sindikatat mbrojnë qëndrimin se të gjithë punëtorët duhet të kenë pushim në këtë festë, shkruan bbc.
Sipas ligjit francez, më 1 maj punojnë vetëm spitalet dhe shërbimet e tjera thelbësore, ndërsa punonjësit e tyre paguhen me dyfishin e ditës së punës. Megjithatë, statusi i furrave dhe bizneseve të tjera shërbyese mbetet i paqartë, prandaj qeveria e udhëhequr nga Lecornu synon të fusë në ligj një përjashtim për këto aktivitete.
Sindikatat kundërshtojnë këtë ide, ndërsa sekretarja e përgjithshme e sindikatës më të madhe në Francë, Marylise Léon, e kritikoi Lecornun duke e quajtur veprimin e tij “teatër politik”.
“Politikanët që shkojnë nëpër furra janë një ‘spektakël’ që nuk na duhet sot. Duhet të tregojmë se si duket jeta reale e një bukëpjekësi”, tha ajo.
Përveç vizitës në furrë, kryeministri zhvilloi edhe një bisedë telefonike me një bukëpjekës që ishte gjobitur për punë më 1 maj. Gjoba për këtë shkelje është 750 euro për çdo punëtor që punon në këtë ditë, ndërsa bukëpjekësi në fjalë kishte marrë një gjobë totale prej 5250 eurosh. /Telegrafi/