KORREKT / SOT25 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kroatët po largohen masivisht nga Gjermania

Kroatët po largohen masivisht nga Gjermania

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, nga Gjermania janë larguar pothuajse dy herë e gjysmë më shumë shtetas kroatë sesa kanë ardhur në këtë vend, tregojnë të dhënat e fundit të Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë (Destatis).

Nga fillimi i janarit deri në fund të shtatorit, në Gjermani janë vendosur 7.012 shtetas kroatë, ndërsa vendin e kanë braktisur 16.955 të tjerë.

Kështu, bilanci i migracionit për shtetasit kroatë ka arritur në minus 9.943 persona vetëm gjatë nëntë muajve. Numri i atyre që janë larguar ishte 141,8 për qind më i lartë sesa i të ardhurve. Madje, në asnjërin nga nëntë muajt e parë të këtij viti nuk është regjistruar bilanc pozitiv migracioni.

Mesatarisht, çdo muaj nga Gjermania janë larguar 1.884 shtetas kroatë, ndërsa kanë ardhur vetëm 779. Në asnjë muaj të këtij viti numri i të ardhurve nuk e ka kaluar shifrën prej 1.000 personash, ndërsa numri i të larguarve nuk ka rënë asnjëherë nën 1.500.

Gjatë verës u larguan më shumë se 8.000 kroatë

Numri më i madh i largimeve është regjistruar në korrik, kur Gjermaninë e braktisën 2.460 shtetas kroatë, ndërsa në vend mbërritën vetëm 714. Kjo do të thotë se gjatë këtij muaji u larguan pothuajse tre herë e gjysmë më shumë kroatë sesa erdhën.

Në gusht, Gjermaninë e lanë 2.024 shtetas kroatë, ndërsa u vendosën vetëm 644, që përbën edhe numrin më të ulët mujor të të ardhurve gjatë këtij viti.

Në shtator, numri i të ardhurve u rrit në 928, por në të njëjtën kohë vendin e braktisën 1.857 shtetas kroatë, shkruan index.hr.

Nga qershori deri në fund të shtatorit, nga Gjermania u larguan gjithsej 8.155 kroatë, ndërsa në të njëjtën periudhë atje u vendosën 2.992 persona. Këta katër muaj përbëjnë më shumë se gjysmën e bilancit negativ të migracionit për shtetasit kroatë gjatë këtij viti.

Hendeku mes të ardhurve dhe të larguarve po rritet

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në Gjermani u vendosën 2.595 shtetas kroatë, ndërsa u larguan 5.306.

Në tremujorin e dytë, numri i të ardhurve ra në 2.131, kurse Gjermaninë e braktisën 5.308 shtetas kroatë.

Dallimi më i madh u regjistrua në tremujorin e tretë, nga korriku deri në fund të shtatorit. Gjatë kësaj periudhe, në Gjermani mbërritën 2.286 kroatë, ndërsa u larguan 6.341.

Bilanci negativ i migracionit u rrit nga 2.711 persona në tremujorin e parë, në 3.177 në të dytin dhe 4.055 në të tretin. Kjo do të thotë se në tremujorin e tretë bilanci negativ ishte pothuajse 50 për qind më i lartë sesa në tre muajt e parë të vitit.

Po largohen edhe shtetasit e vendeve të tjera të BE-së

Bilanci negativ i migracionit nuk është karakteristikë vetëm për shtetasit kroatë.

Të dhënat e Destatis tregojnë se në shtatë nga nëntë muajt e parë të këtij viti, nga Gjermania janë larguar më shumë shtetas të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian sesa janë vendosur atje.

Dallimi ishte veçanërisht i madh në korrik, kur Gjermaninë e braktisën 49.387 shtetas të vendeve të tjera të BE-së, ndërsa në vend u vendosën 33.381 persona.

Gjatë të njëjtit muaj, bilanc negativ migracioni u regjistrua edhe te shtetasit bullgarë, francezë, grekë dhe italianë.

Një tjetër e dhënë interesante është se Gjermania ka regjistruar bilanc negativ migracioni edhe te vetë shtetasit e saj në secilin prej nëntë muajve të parë të këtij viti.

Për shembull, në gusht vendin e braktisën 32.832 shtetas gjermanë, ndërsa u kthyen ose u vendosën atje vetëm 14.747.

Largimet nga Gjermania janë rritur edhe vitin e kaluar

Sipas të dhënave të Destatis, gjatë gjithë vitit 2025 nga Gjermania u larguan 22.691 shtetas kroatë, ndërsa në këtë vend u vendosën 11.352. Bilanci negativ i migracionit arriti në 11.339 persona.

Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, bilanci negativ ka arritur pothuajse 88 për qind të nivelit të regjistruar gjatë gjithë vitit të kaluar.

Nëse ritmi aktual i largimeve dhe ardhjeve vazhdon deri në fund të dhjetorit, Gjermania mund ta përfundojë këtë vit me bilanc negativ migracioni prej më shumë se 13.000 shtetasish kroatë.

Viti i fundit kur më shumë njerëz u shpërngulën nga Kroacia drejt Gjermanisë sesa në drejtimin e kundërt ishte 2022-shi.

Vetëm rreth dhjetë vjet më parë situata ishte krejtësisht ndryshe. Në vitin 2016, nga Kroacia drejt Gjermanisë u shpërngulën rreth 30.000 persona më shumë sesa në drejtimin e kundërt.

Gjatë vitit 2025, nga Gjermania drejt Kroacisë u shpërngulën 20.504 persona, ndërsa nga Kroacia drejt Gjermanisë shkuan 10.346. Diferenca mes tyre kaloi 10.000 persona. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.