Barcelona ka ndërmarrë hapat e parë ligjorë kundër presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, vetëm një muaj pasi kishte paralajmëruar se do të vepronte pas deklaratave të tij për rastin Negreira.
Klubi katalanas konfirmoi përmes një komunikate zyrtare se ka paraqitur kërkesën e detyrueshme për pajtim, e cila paraprin ngritjen e një kallëzimi penal për shpifje ndaj Perezit.
“Barcelona njofton se sot është paraqitur kërkesa e detyrueshme për pajtim, para ngritjes së një kallëzimi penal për veprën e shpifjes sipas Nenit 205 të Kodit Penal, kundër presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, si pasojë e deklaratave të bëra prej tij në konferencën për shtyp të 12 majit dhe në një intervistë të dhënë një ditë më vonë.
“Qëllimi i kësaj kërkese është që zoti Perez të tërheqë disa deklarata që i ka bërë me dijeni për pavërtetësinë e tyre dhe që janë shpifëse dhe cenojnë imazhin dhe reputacionin e klubit.
“Nëse kjo kërkesë nuk trajtohet në mënyrën e duhur, FC Barcelona do të vazhdojë me ngritjen e kallëzimit penal përkatës”, thuhej në njoftim.
Përplasja mes dy klubeve nisi pasi Perez përsëriti akuzat e tij ndaj Barcelonës lidhur me rastin Negreira, duke pretenduar se katalanasit kishin paguar 8.4 milionë euro ndërmjet viteve 2001 dhe 2018 një kompanie në pronësi të ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, Jose Maria Enriquez Negreira, për të përfituar vendime të favorshme arbitrimi.
Barcelona i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke këmbëngulur se pagesat kanë qenë vetëm për raporte dhe këshilla teknike mbi arbitrimin, e jo për trajtim të favorshëm në ndeshje.
Megjithatë, Perez mbetet i bindur në qëndrimin e tij. “Para tre vitesh mësuam për një rast korrupsioni si ai i Negreiras. Nuk ka precedent në historinë e futbollit botëror. Është skandali më i madh në histori dhe një çështje që ende nuk është zgjidhur.
“Është e pakuptueshme që ende shohim gjyqtarë nga ajo periudhë në një garë si La Liga.
“Pagesat zgjatën për dy dekada. Janë të njëjtët gjyqtarë dhe ne po përgatisim një dosje të rëndësishme që do t’ia paraqesim menjëherë UEFA-s për të trajtuar dhe zgjidhur rastin Negreira për të mirën e futbollit botëror.
“Kam folur me UEFA-n sepse nuk ka precedent në historinë e futbollit botëror. Si mund ta harroj rastin më të madh të korrupsionit në historinë e futbollit? Unë luftoj kundër të gjithëve”, deklaroi presidenti i Real Madridit.
Rasti Negreira vazhdon të jetë nën hetim dhe deri më tani nuk është dhënë një vendim përfundimtar nga autoritetet spanjolle./Telegrafi/
