Kreu i Partisë Komuniste të Rusisë, Gennady Zyuganov, ka deklaruar se vazhdimi i luftës në Ukrainë mund ta çojë Rusinë drejt humbjes, duke bërë thirrje për ndryshim të kursit politik.
“Nëse nuk ndryshojmë drejtimin dhe vazhdojmë këtë luftë rraskapitëse, të gjithë do të humbasim”, tha Zyuganov në një konferencë për media.
Ai kërkoi një orientim më të madh drejt politikave të majta, duke theksuar nevojën për drejtësi sociale, unitet dhe zhvillim ekonomik.
Zyuganov kritikoi edhe gjendjen ekonomike të Rusisë, duke thënë se ekonomia e vendit është rritur shumë më ngadalë krahasuar me ekonominë globale gjatë viteve të fundit.
Ai përmendi si shembull edhe sektorin teknologjik, duke thënë se Rusia, pavarësisht përpjekjeve të saj, nuk ka arritur të prodhojë një telefon celular konkurrues në tregun ndërkombëtar.
Kreu i komunistëve rusë foli gjithashtu për rritjen e pabarazisë ekonomike. Sipas tij, numri i miliarderëve në Rusi është rritur gjatë periudhës së luftës, ndërsa pasuria e tyre e përbashkët ka arritur në qindra miliarda dollarë.
Zyuganov kritikoi edhe rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, duke pretenduar se në disa rajone janë regjistruar parregullsi dhe se përfaqësues të partisë së tij janë larguar nga qendrat e votimit.
Më herët, ai kishte propozuar edhe konfiskimin e rreth 130 trilionë rublave (1.3 milionë euro) nga llogaritë private dhe të bizneseve, duke argumentuar se këto mjete mund të përdoren për financimin e buxhetit dhe për përballimin e pasojave ekonomike të luftës. /Telegrafi/