Presidenti amerikan Donald Trump ka vazhduar traditën vjetore në Shtëpinë e Bardhë, duke falur dy gjelat e detit të quajtur Freedom dhe Feathers, të cilët do të kalojnë pjesën tjetër të jetës në një universitet në Teksas.
Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump morën pjesë të martën në ceremoninë tradicionale të faljes së gjelave të detit, e organizuar në Shtëpinë e Bardhë në prag të festës së Falënderimeve (Thanksgiving).
Dy gjelat, të quajtur Freedom dhe Feathers, u përzgjodhën për ceremoninë e këtij viti pas një votimi online nga publiku amerikan.
Freedom ishte gjeli që mori vëmendjen kryesore gjatë ceremonisë, ndërsa Trump vendosi dorën mbi të dhe shpalli faljen e tij dhe të shoqëruesit të tij, Feathers.
Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në momentin e ceremonisë, pasi, sipas zyrtarëve, po pushonte brenda Shtëpisë së Bardhë. Mungesa e tij shkaktoi edhe një moment humori, kur Trump pyeti se ku ndodhej.
Të dy gjelat janë rritur në fermën Deans Gap në Virxhinian Perëndimore dhe pas ceremonisë do të dërgohen në Universitetin Texas A&M, ku do të kalojnë pjesën tjetër të jetës.
Ceremonia e këtij viti shënon edicionin e 79-të të traditës së gjelave të Falënderimeve në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, falja presidenciale u bë traditë zyrtare vjetore në vitin 1989, gjatë presidencës së George H. W. Bush.
Kjo ceremoni simbolike është kthyer në një nga momentet më të veçanta të festimeve amerikane për Thanksgiving, duke sjellë çdo vit një atmosferë festive dhe momente argëtuese në Shtëpinë e Bardhë.

