Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), Admirali Brad Cooper, vizitoi të dielën Ngushticën e Hormuzit, ndërsa ushtria amerikane njoftoi se ka ndihmuar partnerët rajonalë të eksportojnë më shumë se 1,5 miliardë fuçi naftë bruto që nga vera, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme me Iranin.
Në një deklaratë të postuar në platformën X, CENTCOM bëri të ditur se Cooper fluturoi mbi këtë rrugë ujore strategjike me një helikopter CH-47 Chinook të ushtrisë amerikane, për të vlerësuar situatën operacionale.
Sipas CENTCOM, gjatë gjashtë muajve të fundit, më shumë se 3 000 anije tregtare kanë kaluar me sukses përmes ngushticës së Hormuzit, me mbështetjen e forcave amerikane.
“Ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me partnerët tanë në Gjirin Persik dhe me industrinë e transportit detar”, tha Cooper. “Kjo vizitë nënvizon angazhimin tonë të fortë për të garantuar lirinë e vazhdueshme të lundrimit nëpër ngushticën e Hormuzit”.
CENTCOM njoftoi se vizita pasoi një operacion ushtarak amerikan për pastrimin e rrugëve ndërkombëtare të lundrimit në ngushticë nga minat detare, për të cilat u tha se ishin vendosur nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Gjatë vizitës, Cooper u takua me pjesëtarë të ushtrisë amerikane që morën pjesë në operacionin e pastrimit të minave dhe i falënderoi ata për përpjekjet e tyre.
“Sot, rrugët kryesore të kalimit në ngushticën e Hormuzit mbeten të lira dhe të pastra nga minat detare iraniane, falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të njerëzve tanë”, ka thënë më tej Cooper.
“Ne mbetemi të përqendruar maksimalisht në ruajtjen e rrjedhës së trafikut tregtar, duke bashkëpunuar me partnerët tanë brenda agjencive qeveritare amerikane, Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe industrisë së transportit detar”.
CENTCOM deklaroi se më shumë se 95 për qind e anijeve që kanë lundruar nëpër ngushticën e Hormuzit kanë kaluar të sigurta gjatë muajve të fundit, pavarësisht asaj që u përshkrua si agresion i vazhdueshëm nga ana e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Komanda theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre rajonalë ruajnë kontrollin mbi këtë rrugë ujore ndërkombëtare.
Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, është një nga pikat më të rëndësishme strategjike detare në botë për transportin e naftës.
Irani ka pretenduar kontrollin mbi ngushticën që nga shpërthimi i konfliktit të tij me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në fillim të këtij viti dhe ka synuar vazhdimisht anijet që përpiqen të kalojnë tranzit pa autorizimin e tij.
Uashingtoni ka kundërshtuar kufizimet e Teheranit në trafikun detar dhe ka mbajtur një kundërbllokadë detare në portet iraniane.
Njoftimi i fundit i CENTCOM vjen mes shqetësimeve të përtërira për një përshkallëzim të mundshëm midis Uashingtonit dhe Teheranit, pavarësisht një armëpushimi të 8 prillit që i dha fund luftimeve më intensive.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se Uashingtoni mund të nisë një operacion tjetër ushtarak kundër Iranit, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi të dielën se luftimet e përtërira nuk do të ndryshonin qëndrimet e Teheranit. /Telegrafi/

