Mbrojtësi i Francës, Jules Kounde, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes spektakolare 6-4 ndaj Anglisë në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës, duke vënë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e këtij takimi.
Futbollisti francez, i cili e ndoqi nga stoli pjesën e parë katastrofike të “Les Bleus” përpara se skuadra të reagonte në fraksionin e dytë, pranoi se ekipi ishte i dëshpëruar që nuk arriti t’i dhuronte një fitore lamtumire trajnerit Didier Deschamps.
“Personalisht, mendoj se kjo ndeshje nuk duhet të luhet fare”, deklaroi Kounde.
“Është jashtëzakonisht e vështirë të luash një takim të tillë kur je përgatitur vetëm për një objektiv, finalen. Megjithatë, kishim detyrimin ta zhvillonim dhe të luftonim për veten tonë”.
Mbrojtësi i Barcelonës vlerësoi se Franca, pavarësisht rezultatit, la një përshtypje pozitive gjatë turneut, por pranoi se mënyra se si përfundoi rrugëtimi në Kupën e Botës do të mbetet një zhgënjim.
“Në përgjithësi, kemi lënë një përshtypje pozitive, por ta mbyllësh turneun në këtë mënyrë të lë një shije të hidhur”, përfundoi Kounde. /Telegrafi/
