Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin tetor 2026, sipas të cilave eksportet e Kosovës kanë shënuar rritje prej 35,3 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, vlera e eksporteve në tetor arriti në 124,2 milionë euro, ndërsa importet kapën vlerën e 699,3 milionë eurove, duke shënuar rritje prej 12,5 për qind në raport me tetorin e vitit 2025.
Deficiti tregtar në këtë muaj ishte 575,1 milionë euro, ose 8,5 për qind më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur kishte arritur në 530 milionë euro.
Ndërkaq, eksporti mbuloi vetëm 17,8 për qind të importeve.
Sa i përket tregtisë me vendet e Bashkimit Evropian, eksportet arritën në 35,3 milionë euro, që përbënin 28,5 për qind të eksporteve të përgjithshme. Kjo paraqet rritje prej 13,8 për qind.
Partnerët kryesorë të Kosovës për eksport në BE ishin Gjermania, me 9,5 për qind, Holanda me 2,9 për qind dhe Italia me 2,2 për qind.
Ndërkaq, importet nga vendet e BE-së arritën në 283,6 milionë euro, apo 40,6 për qind të importeve të përgjithshme. Në këtë kategori është shënuar rënie e lehtë prej 0,2 për qind.
Vendet prej të cilave Kosova importoi më së shumti nga BE-ja ishin Gjermania me 12,8 për qind, Greqia me 5,7 për qind dhe Italia me 4,5 për qind.
Në tregtinë me vendet e CEFTA-s, eksportet e Kosovës arritën në 65,9 milionë euro, duke përbërë 53,1 për qind të eksporteve të përgjithshme. Krahasuar me tetorin e vitit 2025, ato u rritën për 66,4 për qind.
Partnerët kryesorë për eksport në këtë grup ishin Shqipëria me 28,7 për qind, Maqedonia e Veriut me 11,4 për qind, Serbia me 6,7 për qind dhe Mali i Zi me 4,2 për qind.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 84,7 milionë euro, ose 12,1 për qind të importeve të përgjithshme, me rritje prej 12,3 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe në importe e kishin Maqedonia e Veriut me 5,2 për qind, Serbia me 3,1 për qind dhe Shqipëria me 2,5 për qind.
Ndërkaq, eksportet me vendet e tjera arritën në 22,9 milionë euro, që përbënin 18,5 për qind të eksporteve të përgjithshme. Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Zvicra me 9 për qind dhe Turqia me 2,4 për qind.
Importet nga vendet e tjera kapën vlerën e 330,9 milionë eurove, apo 47,3 për qind të importeve të përgjithshme. Pjesën më të madhe të tyre e përbënin importet nga Kina me 15,5 për qind dhe Turqia me 10,6 për qind.

