“Dimër i vështirë” është paralajmëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli që kur kanë filluar të bien temperaturat në vend.
Ajo ka paralajmëruar se menaxhimi i energjisë elektrike gjatë dimrit do të jetë një “sfidë”, dhe për këtë, kanë filluar të pergatiten si qytetarët ashtu edhe institucionet.
“Nëse mund ta përmbledh shkurt, ky dimër do të jetë një dimër i vështirë për gjithë Evropën, madje globalisht. Sa për ilustrim, nëse ju kujtohet në dimrin e vitit 2021 kishim një krizë që në atë kohë ishte e paprecedentë, në kohën e Krishtlindjeve, kur çmimi dhe konsumi ishte rritur, kishte arritur çmimi në tregje ndërkombëtare pak më shumë se 500 euro për Megavat/orë”, ka thënë Rizvanolli
Nga të dhënat e disponueshme në platformën e tenderëve “Eprokurimi”, vërehet se shumë prej tyre kanë nisur procedurat për blerjen e gjeneratorëve të rrymës, e një pjesë tjetër po i riparon ata që i kanë në dispozicion.
Kësisoj, Ministria e Financave, më 17 nëntor ka lëshuar kontratën për “Servisim të Gjeneratorit në Njësinë e Inteligjencës Financiare”.
Agjencia për Menaxhim Emergjent, më 16 nëntor ka lëshuar kontratë për “mirëmbajtje mirembajtje dhe servisim të gjeneratoreve dhe pompave per thithjen e ujit te AME-se”, në vlerë 22 mijë e 200 euro.
Në tetor, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë kontratë mbi 23 mijë euro për blerjen e gjeneratori për depon e barnave.
Në tetor gjithashtu, KOSTT, ka riparuar një gjenerator të cilin e kishte pasur në dispozicion, për të cilin ka shpenzuar 500 euro.
Dogana e Kosovës në anën tjetër, gjatë tetorit ka blerë gjenerator në vlerë mijëra euro.
Në fund të muajit shtator, edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka lëshuar tender për mirëmbajtje dhe servistim të gjeneratorëve.
Edhe në ndërtesën e “Toskanës” që është në menaxhim të Korporatës Energjetike të Kosovës është lëshuar kontratë për blerjen e një gjeneratori i cili ka kushtuar mbi 20 mijë euro.

Për gjenerator ka dhënë tender edhe Korporata Energjetike e Kosovës.
Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit, KEK-u më 28 gusht 2026 ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 26 mijë e 550 eurosh për furnizimin dhe montimin e një gjeneratori për nevojat e ndërtesës Toskane në Prishtinë.
Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Eor Group SH.P.K.”, ndërsa për këtë blerje KEK-u fillimisht kishte planifikuar të shpenzonte deri në 40 mijë euro.
Kuvendi i Kosovës më 20 nëntor pas mesnatës ka miratuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave të emergjencës në furnizim me energji.
61 deputetë votuan për, ndërsa masat do të jenë në fuqi për 60 ditë. Kjo pikë e rendit u fut në votim me mocion.
Sipas masave emergjente ndërmarrja “Ibër-Lepenci” detyrohet të prodhojë energji nga Ujmani për konsumatorët me të drejtë shërbimi universal. Po ashtu themelohet një Komitet Teknik Emergjent.

